Lajme

Këshilli i Prindërve: Do të bojkotohet zëvendësimi i orëve të humbura nga greva në shkolla


Foto nga Greva: Albanian Post.

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka reaguar sërish ndaj grevës së mësimdhënësve.

Përmes një reagimi publik, nga Këshilli është thënë se nxënësit nuk do t’i zëvendësojnë orët që janë duke humbur.

“Duke shprehur indinjatën tonë të thellë për mos lëvizjen e palëve drejt dialogut social dhe vazhdimin e dëmtimit kryekëput të interesit të fëmijëve dhe prindërve, ia bëjmë të ditur të gjitha institucioneve se Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës do të mobilizohet dhe do t’ju bëjë thirrje të gjithë prindërve që të bojkotohet zëvendësimi i orëve të humbura nga greva”.

KPK-ja ka thënë se pasojat e grevës janë të dyfishta.

“Nuk duam të pranojmë edhe të dëmtohemi nga greva edhe t’ju përshtatemi orareve jashtë ditëve të punës apo jashtë kalendarit vjetor të mësimit”, thuhet në reagim.

1 shtatori dhe 2 shtatori, nxënësit i ka gjetur në shtëpi ndërsa mësimdhënësit në grevë.

Sindikata e Arsimit dhe sektorët tjerë publikë janë duke kërkuar 100 euro shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore