Shqipëria

Këshilli i Mandateve shtyn mbledhjen, i jep Xhaçkës kohë


Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vendosi që mbledhja të vijojë një ditë tjetër, për t’i dhënë mundësi deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, për t’u dëgjuar nga Këshilli.

Mbledhja u zhvillua të premten e 1 korrikut për të shqyrtuar kërkesën e Grupit të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të deputetes, njëkohësisht dhe ministre e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, pasi akuzohet se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik.

“Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.

Kjo është pika 3 e nenit 70 të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila ishte arsyeja e debatit të ashpër mes palëve në Komision.

Deputeti demokrat Gazment Bardhi tha se ministrja ka 50% të fitimeve nga veprimtaria fitimprurëse lidhur me këtë pronë.

Kjo është pasuri e ministres dhe deputetes Olta Xhaçka. Neni 35 i konfliktit të interesit thotë se, në rast se aksionet apo pjesë në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, ato konsiderohen njëlloj si të ishin në emrin e zyrtarit. Pra, çdo aksion i bashkëshortit në rastin konkret konsiderohet si të ishte e Olta Xhaçkës”.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Bardhi, u kundërpërgjigj, duke thënë se kërkesa e opozitës nuk është e bazuar në parashikimin e Kushtetutës.

Lidhur me këtë çështje ka komentuar dhe kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat, i cili theksoi se opozita vijon me linçimin e atyre që i dalin para.

“Vesi del me shpirtin dhe këta që merren me këto punë nuk do të ndryshojnë kurrë. Kurrë për fat të keq. Ne jemi shumë mirëpritës dhe mikpritës për çdo shenjë ndryshimi nga ana e tyre, por këta me sa duket nuk do të ndryshojnë. Tërheqja zvarrë e kujtdo që u del përpara për të bërë linçime është një praktike që nuk do të ndryshojë”.

Ai theksoi se zgjedhja është e thjeshtë.

“Rruga jonë është e përcaktuar, ose do bëjmë punët duke qenë të vetëdijshëm që nuk jemi perfekt, kemi edhe ne të metat tona, ose do merremi me këta. E kam të qartë që çdo minutë e humbur, për t’u marrë me këta, është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem të natyrës së ngritur në këtë furtunë në gotë. Megjithatë, le ta gjykojnë institucionet”.

Kërkesa e opozitës

Kërkesa e PD-së erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik” për të zhvilluar një projekt në bregdetin e Himarës, duke marrë kështu pronën publike për 30 vjet.

Sipas tyre, ka pasur favorizime, për shkak të detyrës që ka në kabinetin qeveritar Xhaçka.

“Përveç depozitimit të mocionit, janë të bashkëlidhur dhe faktet dhe provat përkatëse, vendimet e Komisionit të Investimeve strategjike, dhënia e statusit të investitorit strategjik të shoqërisë që ka lidhje me Xhaçkan”, u shpreh Alibeaj në fjalën e tij.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, tha se PD-ja po bën teatër me çështjen e heqjes së imunitetit të ministres Olta Xhaçka.

“Diskutimi këtu është i karakterit kushtetues, nuk e heqim dhe as nuk e japim ne mandatin. Mandatin e heq Gjykata Kushtetuese”, tha Balla, drejtuar palës opozitare, për sa i përket shtyrjes së mbledhjes për të lexuar dokumentacionin në detaje.

Balla vijoi se, “që të jemi korrektë me detyrën që na ka ngarkuar ne Kuvendi i Shqipërisë, gjithë dokumentacionin që ka ardhur, duhet ta verifikojmë”.

“Unë do të ulem bashkë me kolegët e mi gjatë ditës së sotme, të lexojmë dokumentacionin që, kur të vijmë këtu, të jemi seriozë me ata që na ndjekin”, theksoi Balla, teksa u shpreh se dokumentacioni nuk është lexuar për faktin se disa deputetë kanë pasur angazhime jashtë Shqipërisë.

Kërkesa për shtyrjen e mbledhjes erdhi nga deputetja socialiste, Klotilda Bushka.

Kujtojmë që Xhaçka e nisi karrierën politike në vitin 2009 si deputete e PS-së për Qarkun e Korçës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore