Lajme

Kërkohet rregullimi i një spitali për të burgosurit në Kosovë


Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behgjet Shala, ka deklaruar se kërkesë e kamotshme e tyre është ndërtimi i një spitali për trajtimin e të burgosurve.

Sipas tij, kërkesat e KMDLNj ka qenë nga fillimi që të ndërtohet një spital jo si QKUK, por i përmasave më të vogla, por që do të kishte një staf profesional për trajtimin e rasteve për më shumë se 2000 të burgosurve që kalojnë brenda vitit.

Por, ai thotë se është bërë përpjekje që të gjendet një zgjidhje jashtë shërbimit korrektues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e në spitalet rajonale.

“Në QKUK nuk është në rregull që të sillen të burgosurit me çmim të lartë të shoqëruar me policë të cilët izolohen. Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk ka bërë përpjeke serioze të adoptojë një hapësirë brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës”, theksoi Shala për Ekonomia Online.

“Me pak investime do të mund të shndërrohej në qendër që do t’i përmbushte në masë 80% të nevojave për të burgosur dhe vetëm në raste të rënda do të detyrohen të dërgohen në QKUK apo qendra të tjera”.

Shala theksoi se brenda vitit në burgjet e Kosovës vdesin 2 deri 3 veta.

Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se nuk e ka në plan hapësirën brenda këtij shërbimi për të burgosur sepse nuk ka informata bazike.

“Brenda vitit në burgjet e Kosovës vdesin 2 deri 3 vetë. Pra nuk është numri alarmant krahasuar me vende tjera. Do të ishte më e leverdishme të përshtatej një hapësire brenda këtij shërbimi për të burgosurit. Së fundi Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se nuk e ka në plan ta bëjë këtë sepse nuk ka informata bazike”.

“Në anën tjetër po kjo ministri donë të nënshkruajë marrëveshje me Danimarkën për importimin e kriminelëve në dëm të burgosurve kosovarë. Është një situatë jo normale dhe marrëveshje jo normale. Ne insistojmë që nuk është zgjidhje për të burgosurit as shëtitja nëpër QKUK sepse ka pasur shumë largime dhe ikje, por duhet të ndërtohet një hapësirë sepse nuk ka vend në rajon që nuk e ka një spital të tillë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore