Lajme

“Kercënimi i Kërshëndellave”: 31 vjet nga porosia e Bushit që betonizoi angazhimin amerikan ndaj Kosovës


George H. W. Bush

Në vjeshtën e vitit 1992, në kohën kur kishte nisur rezistenca paqësore e shqiptarëve dhe zinxhirët e tankseve serbe grinin tokën e Kosovës, ish-udhëheqësi fashist i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, do të njoftohej për herë të parë nga zyrtarët e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për porosinë e prerë të Shtëpisë së Bardhë mbi zhvillimet në Kosovë.

Presidenti i 41-të i SHBA-ve, George H. W. Bush, nëpërmjet një letre drejtuar Millosheviçit, më 25 dhjetor 1992, do të paralajmëronte regjimin serb se SHBA-të do të intervenonin ushtarakisht në Kosovë nëse Serbia nis luftën. Kështu thuhej në letrën që njihet si “Kercënimi i Kërshëndellave”. Pra, porosia ishte e qartë për të gjithë, veçanërisht për Millosheviçin.

“SHBA-të, në kuadër të konfliktit në Kosovë, shkaktuar nga aksionet e Serbisë, do jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi”, thuhej në letrën e presidentit Bush drejtuar Millosheviçit, i cili kishte shpallur zgjedhjet, pasuar nga paralajmërimi i dytë i Shtëpisë së Bardhë, menjëherë pas një viti, në shkurt të vitit 1993.

”Ne jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga aksionet e Serbisë”, deklaronte kryediplomati amerikan, Warren Christopher, saktësisht më 13 shkurt 1993 – rifuqizim i porosisë së presidentit Bush dhe për më shumë, një deklaratë me peshë historike për rolin amerikan në çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Në artikulimin e “Kercënimit të Kërshëndellave” kontribuoi edhe ambasadori amerikan, Robert Gelbard, i cili shërbeu si përfaqësues special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor. Në mars të vitit 1998, në pyetjen nëse porosia e presidentit Bush vlente akoma pas rikonfigurimit të administratës amerikane, ai ishte pëgjigjur: “Politika e SHBA-ve nuk ka ndryshuar”.

Gjashtë vjetë më vonë, në vitin 1999, presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Clinton, do ta realizonte porosinë. Në fakt, Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albraight, në përpjekje për të arritur një qëndrim të unifikuar të administratës amerikane rreth Kosovës, shpesh do t’ia përkujtonte presidentit Clinton zotimin e presidentit Bush në dhjetor të vitit 1992.

“Koha për t’i ndaluar vrasjet është tani, para se të përhapen. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të ndërmerren veprime të menjëhershme kundër regjimit në Beograd”, deklaronte Albright më 8 mars 1998. Për shefen e diolomacisë amerikane, bombardimi i Serbisë ishte kthyer në një mision shumë personal, përtej angazhimit diplomatik në zgjidhjen e konfliktit.

Zyrtarë amerikanë të asaj kohe, sipas gazetarit dhe publicistit kosovar, Blerim Shala, kishin thënë se “Kërcënimi i Kërshëndellave” ka qenë rezultat i analizave të zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe, në anën tjetër, presidenti Bush, në këtë mënyrë, ka dashur t’ia përkujtojë presidentit Clinton – i cili do të betohej në janar – për rrezikun e luftës në Kosovë dhe në rajon.

Ky zotim, krahas premtimit të presidentit Clinton, dhënë delegacionit kosovar, nën drejtimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe presidentit historik, Ibrahim Rugova, në maj të vitit 1998, që SHBA-të nuk do të lejojnë që në Kosovë të përsëritet Bosnja-Hercegovina, vlerësohen të kenë peshën e dy vendimeve kapitale për angazhimin amerikan në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore