Lajme

Kërcënimet e Serbisë duhet të merren seriozisht, veçanërisht në dritën e ngjarjeve në veri të Kosovës, sipas studiuesit boshnjak


Ilustrim

Hikmet Karçiç, hulumtues dhe studiues i krimeve kundër njerëzimit, në një artikull të fundit mbi përpjekjet e Serbisë për të kundërshtuar miratimin e rezolutës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnje-Hercegovinës, tha se kjo përbën një kërcënim për sigurinë rajonale në dritën e sulmit terrorist në veri të Kosovës.

Në artikullin e titulluar “Serbia kërcënon nëse OKB-ja miraton rezolutën për Srebrenicën“, ai konsideroi se kundërshtimi i ashpër nga zyrtarët serbë për rezolutën e OKB-së përbën jo vetëm një manifestim të mohimit të gjenocidit dhe revizionizmit historik, por është gjithashtu një strategji që synon ruajtjen e hegjemonisë rajonale dhe destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo strategji është veçanërisht alarmante në dritën e ngjarjeve të fundit – sulmi terrorist në Kosovë që u krye nga kriminelët serbë me lidhje të supozuara me shtetin serb, shërbeu për të nxjerr në pah gjendjen e brishtë të paqes dhe sigurisë në rajon”, shkroi ai duke u referuar në sulmin e vitit të kalur në Banjë të Zveçanit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Kjo ngjarje ka rritur shqetësimet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë Serbisë – dhe potencialisht Rusisë – një pretekst për të polarizuar dhe destabilizuar më tej rajonin nën maskën e parandalimit të incidenteve të ngjashme”, shtoi studiuesi boshnjak, duke marrë parasysh kërcënimet serbe se miratimi i rezolutës së OKB-së mund të nxisë dhunë.

“Kjo qasje tregon gatishmërinë e Serbisë për të kërcënuar nëpërmjet dhunës, e cila, nga ana tjetër, rrezikon jo vetëm procesin e pajtimit dhe ndërtimit të paqes në Ballkanin Perëndimor, por edhe vetë mundësinë e përpjekjeve ndërkombëtare për të njohur dhe mësuar nga mizoritë e kaluara”.

Serbia ka paralajmëruar se do të angazhohet kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kundër aprovimit të rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë. Përderisa votimi për Kosovën pritet ta kalojë fazën parafinale më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, data kur do të votohet rezoluta e OKB-së nuk është e caktuar ende.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore