Shqipëria

KED njofton mbledhjen e parë- Çfarë do të diskutohet në rendin e ditës?


Gjykata e Lartë e Shqipërisë, të premten e 14 janarit, ka njoftuar çështjet që do të diskutohen në mbledhjen e parë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Sipas njoftimit, më 17 janar, do të jetë kostituimi i KED-së, me përbërjen e zgjedhur për të ushtruar funksionet dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për vitin 2022, e para në rendin e ditës.

Më pas do të diskutohet mbi çështje të mbështetjes së KED-së me mjete buxhetore, personel administrativ, ambiente dhe pajisje pune nga Gjykata e Lartë, për vitin 2022.

Kujtojmë që shorti për emërimin e KED-së u hodh më 3 dhjetor të vitit që shkoi, nga institucioni i Presidentit të Republikës.

Çfarë është KED?

Këshilli për Emërimet në Drejtësi është një organ i ri kushtetues. Kolegjial, i cili është krijuar me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ndodhura me miratimin në vitin 2016 të paketës legjislative të reformës në drejtësi.

Ai përbëhet nga nëntë anëtarë të përzgjedhur me short. Ata e ushtrojnë detyrën me kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksioni, të cilin e mbajnë në radhët e sistemit të drejtësisë.

Mbledhjet e tij kryhen sa herë të jetë e nevojshme. Kryesisht, institucioni siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative apo financiare, për realizimin e funksioneve të KED-së.

Detyra kryesore e këtij organi, është kryerja e verifikimeve për kriteret profesionale dhe morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore