Lajme

Katër autobusë me njerëz u evakuuan nga Mariupol-i


Më 20 prill, katër autobusë evakuimi mundën të largoheshin nga Mariupol-i përgjatë korridorit humanitar dhe më 21 prill evakuimi do të vazhdojë.

Lajmin e bëri të ditur Agjencia Franceze e Lajmeve, duke cituar deklaratën e ministres për Riintegrimin e Territoreve të Pushtuara përkohësisht të Ukrainës Iryna Vereshchuk.

“Katër autobusë evakuimi arritën të largohen nga qyteti përgjatë korridorit humanitar të djeshëm. Ata e kaluan natën në Berdyansk dhe tani po shkojnë në Vasylivka. Ne i presim së shpejti në Zaporizhia”, shkruan në Telegram zyrtarja ukrainase.

Ministrja shtoi se evakuimi i grave, fëmijëve dhe të moshuarve nga Mariupol do të vazhdojë edhe më 21 prill.

Vereshchuk paralajmëroi se situata e sigurisë është e vështirë, ndaj mund të ketë ndryshime. Ajo u bëri thirrje banorëve të ndjekin raportet zyrtare.

Mëngjesin e 20 prillit, zëvendëskryeministrja ukrainase njoftoi se një korridor humanitar nga Mariupol përmes Mangush-it dhe Berdyansk-ut në Zaporizhia për gratë me fëmijë dhe të moshuarit do të hapej pasdite.

Por, në mbrëmje Vereshchuk deklaroi se korridori humanitar nga Mariupol-i nuk funksionoi siç ishte planifikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore