Shqipëria

Kapshticë: Tentuan të kalonin kufirin me pasaporta false, arrestohen 2 shtetas afrikanë dhe 1 francez


Policia e Kapshticës ka vënë në pranga dy shtetas afrikanë, të cilët tentuan të kaluan kufirin me dokumente të falsifikuara.

Po ashtu është arrestuar edhe një shtetas francez, i cili i kishte pajisur ata me dokumente false, kundrejt shpërblimit.

Konkretisht janë arrestuar në flagrancë shtetasit M. M., 41 vjeç, K. P., 32 vjeç, të dy banues në Comoros, Afrikë dhe T. M., 59 vjeç, banues në Paris, Francë.

Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, dy shtetasit afrikanë kanë paraqitur pasaporta franceze në emër të dy shtetasve të tjerë. Nga kontrolli i mëtejshëm që shërbimet e Policisë Kufitare kryen në sistem, këto dokumente rezultuan të dyshuara të falsifikuara.

Në bazë të hetimeve të mëtejshme hetimore dyshohet se 59-vjeçari ka ndihmuar dy shtetasit afrikanë, kundrejt shpërblimit, duke iu siguruar atyre dokumentet e identifikimit, me premtimin për t’i kaluar në drejtim të vendeve të BE-së, nëpërmjet vendit tonë.

Sakaq u sekuestrohen dy pasaportat që do të mundësonin kalimin e afrikanëve drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore