Lajme

Kamera në monitorim të shoferit te makinat Tesla


Kompania amerikane e automjeteve, Tesla, përmes një azhurnimi të ri të software-it përfshin monitorimin e drejtuesve të makinave nëpërmjet kamerave të brendshme të vendosura në makinë gjatë përdorimit të Autopilot-it.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se karakteristika e vetëdrejtimit kërkon që shoferët të jenë të vëmendshëm në çdo kohë, por që është kritikuar edhe si e thjeshtë për t’u mashtruar.

Madje kanë qarkulluar video nëpër rrjetet sociale ku përdoruesit kanë aktivizuar funksionin e ndihmës dhe kanë lënë vendin e shoferit duke e regjistruar veten.

Marrë shkas nga kjo, tipari i ri i monitorimit të brendshëm në makinat Tesla do të shërbejë për të parë se sa të vëmendshëm janë shoferët kur aktivizojnë Autopilot-in.

Nga ana tjetër, makinat e kompanisë janë të pajisura me sensorë në timon për t’u siguruar që duart e drejtuesit të qëndrojnë mbi të.

Ngjashëm me këtë azhurnim të Tesla-s, prodhues të tjerë të makinave kanë përdorur sensorë të brendshëm për të vëzhguar se ku po shohin sytë e shoferit.

Rrjedhimisht, automjeti mund të ngadalësojë ose çaktivizojë tiparet e automatizuara të ngasjes nëse vërehet se shoferi nuk është i vëmendshëm.

Për sa i përket kamerës së Tesla-s, do të jetë e vendosur mbi pasqyrën e pasme të makinës dhe “mund të zbulojë dhe paralajmërojë pakujdesinë e drejtuesit teksa Autopilot-i është i angazhuar”, ka pohuar kompania.

Gjithashtu ka njoftuar se “të dhënat e kamerës nuk largohen nga vetura” dhe asnjë e dhënë nuk transmetohet nëse ndarja e të dhënave nuk mundësohet në cilësimet e makinës. Kjo pasi ato mund të ndryshohen nga përdoruesi i makinës në çdo kohë.

Vetë Tesla nuk ka dhënë arsye për këtë lëvizje të saj, por azhurnimi i ri vjen pas disa historive të fundit lidhur me Autopilot-in, tiparin e “vetëdrejtimit të plotë”, çka ka të bëjë me një sistem të ndihmës së shoferit.

Mirëpo, gjatë muajit prill kompania u përball me shumë pretendime se ky sistem i makinave Tesla mund të mashtrohet lehtësisht kur makina funksionon në mungesë të shoferit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore