Lajme

Kamberi: Vuçiç nuk e ka guximin të flasë realitetin për Kosovën për shkak të opozitës


Shaip Kamberi.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi deklaroi se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka frikë nga opozita dhe nuk ka guximin të flasë realitetin dhe t’u tregojë serbëve të vërtetën për Kosovën dhe krimet që kanë ndodhur atje.

“Vuçiç nuk e ka guximin të flasë, filloi me ton të butë, por kur opozita e kundërshtoi ai filloi me tone radikale, e më të ashpra duke përsëritur se asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën, nuk do të lejojë që të jetë pjesë e OKB dhe kjo e mban dialogun të pakuptueshëm”.

“Vuçiç fillon me disa të vërteta, por pastaj i shmanget nga frika e opozitës. Në cilësinë e presidentit duhet të marrë përgjegjësinë, t’u thotë të vërtetën për Kosovën. Ai i shmanget, ai e fajëson perëndimin se është i njëanshëm. Ai nuk merr përgjegjësinë e një burrështetasi”.

Ai gjatë një intervistë për mediumin A2 CNN, për sherrin që përshkallëzoi në përleshje fizike mes deputetëve në parlamentin e Serbisë të premten, kur diskutohej për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën konsideron se u tregua retorika serbe e viteve të 90-ta.

“Isha dëshmitar i një seance me përleshje fizike, por brengosëse është se në Serbi kemi retorikë të viteve 90. Nuk ka sens për realitetin në Kosovë, nuk ka sens për domosdoshmërinë e pajtimin historik me Kosovën dhe për ta njohur realitetin atje”.

“Opozita si ajo e djathtë dhe ajo proevropiane, ishte me tone të njëjta dhe të krijohet ideja se Vuçiq është më demokrat se ata. Seanca e djeshme ka kthyer Serbinë në kohën e Millosheviçit dhe andrallat e tyre se Kosova është pjesë e Serbisë”.

Kurse, deklaratat për një dorëheqje të mundshme të presidentit të Serbisë, deputeti shqiptar i ka quajtur “lojë politike”, brenda partisë së tij.

“Është një taktikë brenda partisë së tij dhe partnerët e koalicionit. Nuk është hera e parë që ofron dorëheqjen dhe kjo është një lojë politike për lojërat e brendshme. Duket sikur është i kënaqur me planin franko-gjerman por për momentin janë vendosur të heshtin”.

Ndërsa qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me 6 kushtet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka cilësuar si të drejtë.

Sipas tij, “Serbia po luan rolin që Kosova të jetë fajtore në rast dështimi të dialogut”.

Në seancën e 2 shkurtit në paralamentin e Serbisë Vuçiç ka folur për propozimin franko-gjerman dhe kërkesat që pesëshja evropiano-amerikan ia paraqiti Serbisë, teksa opozita e ka cilësuar këtë plan si “kapitullim për Serbinë” dhe “e ke dorëzuar Kosovën”.

Deputetët e opozitës kanë brohoritur slogane sikurse “Tradhti”, “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”.

Ata po ashtu mbanin pankarta me mbishkrimin “Jo kapitullimit, jo ultimatumit”.

Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, forcës kryesore politike të serbëve në Kosovë dhe Milan Radoiçiç, nënkryetari saj, që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore