Lajme

Kamberi: Raporti i DASH-it potencon se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës është i papranueshëm


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ndërsa ka komentuar raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2023 për Serbinë, ka potencuar se në këtë raport theksohet qartësisht pengesa e madhe dhe dhuna sistematike ndaj komuniteteve minoritare.

“Ndër pikat e theksuara nga DASH si formë e papranueshme është procesi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës si dhe nevojën imidiate për implementimin e ‘Planit 7 Pikërish’, ka potencuar Kamberi përmes një postimi në platformën sociale, Facebook.

Kamberi ndër të tjera ka potencuar se raporti i DASH-it thekson diskriminim në punë, mungesën e aksesit në shërbime themelore dhe margjinalizimin social si elemente sfiduese në Serbi.

“Në një shoqëri ku barazia dhe drejtësia duhet të jenë parimet themelore, është e papranueshme që disa komunitete të ndjehen të izoluara dhe të përballojnë diskriminim për shkak të prejardhjes së tyre etnike”.

Sipas Kamberit në këtë fazë është e nevojshme që qeveria dhe institucionet relevante të marrin masa të menjëhershme për të garantuar mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht prejardhjes etnike.

“Për të arritur këtë objektiv, është e rëndësishme që të ndërmerren disa hapa të rëndësishëm: Zbatimi i plotë dhe efektiv i ligjeve ekzistuese që mbrojnë të drejtat e minoriteteve dhe luftojnë diskriminimin. Ngritja e ndërgjegjësimit dhe trajnimeve për të gjithë punonjësit e sektorit publik në lidhje me respektimin e diversitetit dhe parandalimin e diskriminimit. Përmirësimi i aksesit të minoriteteve në arsim, shëndetësi, dhe punësim, duke siguruar që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë e barabartë për të përfituar nga këto shërbime dhe të zhvillojnë potencialin e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore