Lajme

Kalifornia përgatitet për më shumë stuhi “të pamëshirshme”


Kalifornia po përgatitet për mot më të ashpër këtë javë.

E gjitha vjen pasi sinoptikanët paralajmërojnë për një “paradë të pamëshirshme të cikloneve”.

Tanimë, vendi ka një javë që përballet me reshje të rrëmbyeshme dhe erëra të forta që kanë lënë të varrë 12 njerëz në dhjetë ditë.

Guvernatori Gavin Newsom ka paralajmëruar se moti më brutal do të ndodhë në 48 orët e ardhshme. “Presim të shohim më të keqen përpara nesh”, ka thënë ai.

Ky raund i ri i motit të ashpër do të sjellë shi të dendur në lumenjtë tashmë të përmbytur, erëra të forta që pritet të rrëzojnë pemët dhe linjat e energjisë elektrike dhe borë të madhe në Kaliforninë verilindore.

Sakaq, Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-ve (NWS) ka njoftuar se shiu më i madh dhe më i përhapur ka të ngjarë të ndodhë rreth të martës në mëngjes dhe pasdite.

Po ashtu ka paralajmëruar për përmbytje në zonat përreth Los Angeles-it.

Ndërkaq, presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kaliforni, çka lejon Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, e njohur gjithashtu si FEMA, të ofrojë ndihmë për fatkeqësitë.

Javën e fundit, Kalifornia ka përjetuar dy fenomene të motit të mbivendosur – një lumë atmosferik, ku një rrjedhë ajrore me lagështi të dendur rrjedh nga oqeani dhe një ciklon bombë, një stuhi me një rënie të shpejtë të presionit që krijon një efekt ciklon.

Lumenjtë atmosferikë mund të shkaktojnë reshje ekstreme dhe përmbytje. Kurse ciklonet bombë kërkojnë një përzierje të temperaturave të larta dhe të ulëta, rritje dhe ulje të presionit të ajrit dhe lagështisë, që shpesh rezulton në erëra të forta dhe stuhi të forta.

Stuhitë e javës së kaluar shkaktuan dëme të mëdha në Kaliforninë veriore me shira rekord.

Stuhia dëmtoi shtëpi dhe biznese dhe vrau të paktën 12 njerëz.

Pjesa më e madhe e zonës së goditur nga reshjet e dendura ka qenë në kushte ekstreme të thatësirës. Vitin e kaluar, Kalifornia lëshoi kufizime për sasinë e ujit që banorët mund të përdorin në një përpjekje për të ruajtur furnizimin e varfër.

Pavarësisht shiut, pjesa më e madhe e shtetit mbetet nën paralajmërimet e thatësirës së moderuar deri në ekstrem.

Sipas ekspertëve, do të duheshin shumë vite shi për të ndryshuar thatësirën prej dy dekadash që ka goditur SHBA-të në perëndim.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore