Lajme

Kabul: Qëllohen për vdekje dy gjyqtare


Dy gjyqtare të Gjykatës së Lartë afgane, janë qëlluar për vdekje në Kabul.

Kjo ngjarje vjen si një valë e sulmeve të ndodhura përgjatë viteve të fundit. Gjykata Supreme e Afganistanit është sulmuar dhe në shkurt të 2017-ës kur një bombë shpërtheu pranë saj, duke vrarë 20 persona dhe plagosur 41.

Zyrtarët afganë kanë fajësuar talebanët për sulmet, një akuzë që grupi kryengritës e ka mohuar.

Ato nuk e kanë pranuar përfshirjen në disa prej sulmeve. Njëkohësisht kanë thënë se luftëtarët e tyre do të vazhdojnë të “eliminojnë” figurat e rëndësishme të qeverisë, megjithëse jo gazetarët ose anëtarët e shoqërisë civile.

Talebanët kërkojnë të krijojnë një kalifat puritanik që nuk njeh as toleron format e ndryshme të Islamit. Ata e përbuzin demokracinë, proceset politike laike dhe i cilësojnë si vepra kundër Islamit.

Mes talebanëve dhe qeverisë afgane po vazhdojnë bisedimet për paqe me ndërmjetësues Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, lëshoi ​​një deklaratë duke dënuar sulmet ndaj civilëve.

Ghani tha se “terrori, tmerri dhe krimi” nuk është një zgjidhje për problemin e Afganistanit dhe u kërkoi talebanëve të pranonin “një armëpushim të përhershëm”.

Dhuna në rritje ka komplikuar bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që zhvillohen në Doha. Washingtoni ndërkohë ka filluar të tërheqë trupat ushtarake.

Në fillim të këtij muaji, ushtria amerikane për herë të parë akuzoi direkt talebanët për orkestrimin e sulmeve.

“Fushata e sulmeve dhe vrasjeve të synuara të zyrtarëve qeveritarë, udhëheqësve të shoqërisë civile dhe gazetarëve duhet të pushojnë që paqja të ketë sukses”, u shpreh koloneli Sonny Leggett, zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore