Lajme

Ka viktima prej shpërthimeve në Kiev


Pas muajsh të tërë “qetësie”, shpërthimet janë rikthyer në kryeqytetin ukrainas të Kievit dhe kjo ka ardhur me kosto të rëndë, pasi raportohet se ka viktima.

Është gazetari Denis Kazanskyi, ai i cili tregon me bindje se zonat rezidenciale janë të goditura dhe njerëz kanë mbetur të vdekur në shpërthime, por pa dhënë numës specifik jetësh.

Mëngjesi i 10 tetorit, e pa Kievin nën bombardimet e radhës nga Rusia, ku të paktën katër shpërthime janë dëgjuar pas impaktit në tokë dhe disa raketa janë raportuar të jenë interceptuar prej sistemit mbrojtës anti-raketor.

Në një shkrim në Twitter ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka pranuar gjithë goditjet në rajonin e Shevchenkivskyi, në kryeqytetin ukrainas, por pa dhënë detaje e shpjegime mbi atë çfarë po ndodh konkretisht atje.

Shtëllunga tymi janë parë në disa pjesë të qytetit sipas gazetave lokale dhe vetë dëshmive të banorëve të Kievit, ku lajmi është vërtetuar edhe nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP si edhe media shtetërore britanike BBC.

Një pjesë e zonave të prekura ndodhen shumë pranë qendrës së qytetit, siç bëhet me dije nga dëshmitarët.

Gjithsesi, një përcaktim zyrtar i gjithë situatës është ende i pritur prej autoriteteve lokale, të cilat kanë qenë në gatishmëri të menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Shpërthime të tjera ndërkaq, janë raportuar edhe në rajonet e Dnipro, Khmelnytskyi, Ternopil, Zhytomyr, madje edhe në Odessa.

Mbi rrethanat në këto vende gjithsesi, ende nuk ka një qartësim të asaj çfarë po ndodh.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore