Muzikë

Justin Bieber u jep fansave një përditësim të gjendjes së tij


Justin Bieber

Justin Bieber ka ndarë një video pak ditë më parë, ku kishte shpjeguar një gjendje të rrallë mjekësore që ka rezultuar në paralizën e njërës anë të fytyrës.

Të martën, këngëtari i hitit “Ymmy” postoj një deklaratë në llogarinë e tij të Instagramit në lidhje me rikuperimin e tij të vazhdueshëm nga sindroma “Ramsay Hunt”.

“Doja të ndaja pak se si ndihesha. Çdo ditë është bërë më e mirë dhe gjatë gjithë shqetësimit kam gjetur ngushëllim tek ai që më ka projektuar dhe që më njeh”, ka shkruar ai.

Bieber i cili ka qenë i hapur edhe në të kaluarën për besimin e tij të krishter tha se “ai më njeh mua të gjithin”.

“Ai i njeh pjesët më të errëta të mia të cilat unë dua që askush të mos i dijë dhe vazhdimisht më mirëpret në krahët e tij të dashur”, vazhdon deklarata. “Kjo perspektivë më ka dhënë paqe gjatë kësaj stuhie të tmerrshme që po përballem”.

Ai e përfundoi deklaratën e tij duke shkruar: “e di që kjo stuhi do të kalojë, Jezusi është me mua”.

Në videon që postoi javën e kaluar, tregoi se si njëra anë e fytyrës së tij nuk mund të lëvizte si rezultat i sindromës dhe shpjegoi se diagnoza ishte arsyeja pse ai anuloi disa koncerte dhe planifikon të bëjë një pushim nga turneu derisa të rikuperohet.

Në videon e gjatë tre minutëshe ai përpiqet të buzëqeshë, të pulsojë dhe të lëvizë fytyrën, por njëra pjesë e fytyrës së tij nuk reagonte. Ai tha se ka bërë ushtrime të fytyrës për t’u rikuperuar.

Sindroma e rrallë neurologjike, “Ramsay Hunt”, shkaktohet nga i njëjti virus që shkakton linë e dhenve dhe herpesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore