Lajme

Julian Assange, pa lejen për të apeluar kundër ekstradimit në SHBA


Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange, është një hapi më afër një gjyqi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi akuzat për spiunazh.

Kjo pasi gjykata më e lartë e Mbretërisë së Bashkuar ka refuzuar të marrë parasysh apelin e tij kundër ekstradimit.

Ai po përpiqej të apelonte kundër një vendimi të Gjykatës së Lartë në dhjetor. Ajo vendosi që ai të ekstradohej pas garancive nga autoritetet amerikane në lidhje me kushtet e tij të atjeshme të burgut.

Së fundmi, gjykata ka refuzuar lejen për të apeluar “pasi aplikimi nuk ngriti një pikë të diskutueshme ligjore”. Pas vendimit, çështja pritet t’i dërgohet zyrtarisht Priti Patel-it për të miratuar ekstradimin.

Po ashtu avokatët e Assange do të kenë katër javë kohë për t’i bërë parashtresa sekretares së brendshme përpara vendimit të saj.

Ka edhe rrugë të tjera për të luftuar ekstradimin e tij. Mund të rizgjohen çështje të tjera ligjore të ngritura në shkallën e parë, të cilat ai i ka humbur. Këto nuk i janë nënshtruar ende apelit.

Tentativa e apelimit në gjykatën e lartë ishte veçanërisht për çështjen e garancive të SHBA-ve.

“Na vjen keq që nuk është shfrytëzuar mundësia për të marrë në konsideratë rrethanat shqetësuese në të cilat shtetet kërkuese mund të japin garanci të paralajmëruara pas përfundimit të një seance të plotë provash”, ka thënë një zëdhënës i avokatëve të tij.

Dhe se “në rastin e Assange, gjykata kishte konstatuar se ekzistonte një rrezik real i trajtimit të ndaluar në rast të ekstradimit të tij të mëtejshëm”.

 

Marrë nga “The Guardian”. Përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore