Lajme

Julian Assange do të martohet në burgun Belmarsh


Julian Assange dhe Stella Moris janë fotografuar në ambasadën e Ekuadorit ndërsa ai po kërkonte azil.

Themeluesi i organizatës ndërkombëtare që publikon rrjedhje lajmesh “WikiLeaks”, Julian Assange do të martohet më 23 mars të këtij viti.

Ceremonia e martesës do të zhvillohet në Burgun e Sigurisë së Lartë “Belmarsh” të Mbretërisë së Bashkuar, dhe vetëm katër të ftuar do të lejohen të marrin pjesë, raporton “The Guardian”.

Dizajnerja e famshme Vivienne Westwood, po punon për një fustan nusërie për të fejuarën e 50-vjeçarit, avokaten Stella Moris, dhe një kostum për Assange.

Moris, e cila u takua me Assange-n në ambasadën ekuadoriane të Londrës, kur ai ishte duke kërkuar azil politik, do të martohet me themeluesin e WikiLeaks në burgë gati tre vjet pas arrestimit të tij. Çifti kanë dy fëmijë.

Moris, e cila foli me të fejuarin e saj të dielën, i tha agjencisë së lajmeve “PA” se të dy ishin “shumë të emocionuar” pavarësisht kufizimeve në ceremoni.

Julian Assange dhe Stella Moris

Ajo tha se po prisnin të dëgjonin nëse u lejohej një fotograf dhe se të ftuarit do të duhej të largoheshin menjëherë më pas, pavarësisht se martesa ndodhte gjatë orëve normale të vizitave.

“Natyrisht që jemi shumë të emocionuar, edhe pse rrethanat janë shumë kufizuese”, tha ajo.

“Vazhdon të ketë ndërhyrje të pajustifikuara në planet tona. Të kesh një fotograf për një orë nuk është një kërkesë e paarsyeshme”.

Gjithashtu do të lejohen dy dëshmitarë, së bashku me dy roje sigurie.

“Julian po pret me padurim dasmën sepse më në fund po ndodh, shumë muaj pasi bëmë kërkesën për herë të parë”, shtoi Moris.

“Ai po mbahet në emër të një fuqie të huaj dhe nuk është akuzuar për asgjë, gjë që është krejtësisht e turpshme”.

Assange, një shtetas australian, u arrestua pasi kaloi më shumë se gjashtë vjet në ambasadën e Ekuadorit ndërsa luftoi për të shmangur ekstradimin në Suedi, pas publikimit nga “WikiLeaks” të qindra mijëra dokumenteve të zbuluara në lidhje me luftërat në Afganistan dhe Irak.

Në janar të këtij viti, ai fitoi fazën e parë të një apeli për të luftuar ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuza për spiunazh.

Sipas Ligjit të Martesave 1983, të burgosurit kanë të drejtë të aplikojnë për t’u martuar në burg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore