Lajme

“Ju nuk jeni kuaj”


Ky është tweet-i i Administratës së Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara (FDA), e cila ka reaguar pas kurimeve alternative me antiparazitarë që po përdoret kundër COVID-19.

Apeli, që në pamje të parë shfaqet si një lojë ironike, përcjell një mesazh shumë serioz për shëndetin e njerëzve.

“Ju nuk jeni kuaj, apo lopë. Mos përdorni Ivermectin!”.

FDA-ja ndërhyri me një postim për të sqaruar përfundimisht se antiparazitarët, të cilët përdoren zakonisht për kafshët nuk kanë asnjë lloj efekti për parandalimin ose trajtimin e COVID-19.

Një sqarim, që mund të duket kurioz nëse nuk do të ishte për faktin se në drejtim të agjencisë amerikane kanë mbërritur raporte të shumta të përdorimit të Ivermectin si një terapi jokonvencionale kundër COVID-it, duke rritur gjithashtu shtrimet në spital.

Efekte anësore

Siç është përmendur edhe në një faqe në pyetjet e bëra shpesh, përdorimi i tij pa kriter, në doza masive, gjithashtu mund të ketë pasoja serioze në shëndetin e njerëzve.

Pa harruar se ekziston një formë e Ivermectin-it për kafshët dhe një e krijuar për njerëzit. Në rastin e dytë, ilaçi përdoret vetëm për të trajtuar infeksione të veçanta të brendshme parazitare, ose në disa rrethana në lëkurë.

Në të njëjtën deklaratë për shtyp lexojmë se FDA-ja kurrë nuk ka miratuar përdorimin e ilaçit kundër sëmundjes së shkaktuar nga coronavirus-i, pavarësisht se provat klinike janë duke u zhvilluar për të verifikuar përdorimin e tij të mundshëm, edhe nëse është ende në një fazë vlerësimi plotësisht paraprake, për momentin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore