Lajme

Jonathan Hargreaves, ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë


Jonathan Hargreaves

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Përmes një komunikate për media e lëshuar nga Zyra e Presidentes theksohet se Osmani në takim ka potencuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar janë të shkëlqyeshme.

“Osmani shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Hargreaves”, thuhet në komunikatë.

Presidenca ndër të tjera ka potencuar se në takim mes Hargreaves e Osmanit janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për procesin e dialogut.

“Ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Së fundmi, na nderoi vizita e kryeministrit Cameron në Kosovë, i cili na mbështeti dhe theksoi se forcat e Mbretërisë së Bashkuar janë këtu për ta mbrojtur Kosovën dhe sovranitetin e saj”, citohet të ketë thënë Osmani.

Osmani, siç njofton komunikata për media, ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme dhe ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen, tregtinë, investimet, arsimin si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Hargreaves është ambasadori i gjashtë i emëruar i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Hargreaves në këtë pozitë ka zëvendësuar Nicholas Abbott.

Para emërimit si ambasador në Kosovë, Hargreaves ishte Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar për Sirinë.

Para kësaj, Hargreaves ishte emëruar edhe si Zëvendës Drejtor për Divizionin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut për Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar në Mbretërinë e Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore