Film

Johnny Cash, romantiku hijerëndë


Johnny Cash gjithmonë ka kënduar me njëfarë urgjence. Për shkak të kësaj urgjence, zëri i tij nuk synon të ngritet në majat vokale të muzave të muzikës. Ai është serioz, në kuptimin etimologjik të fjalës, me peshë, i rëndë, i rëndësishëm.

Ai ishte i biri i një babai pijanec që e fajësonte për vdekjen e vëllaut të madh, i cili ia bënte jetën ferr duke i thënë se “Zoti më ka marrë djalin e gabuar”.

Jeta e tij ishte e errët, sikurse ishte edhe vetë, hijerëndë. Ai përjeton gati se të gjitha bekimet dhe mallkimet e famës, pasurisë, suksesit. Droga dhe alkooli, jeta e shthurur, çmenduritë romantike, janë aty tërë kohën me të.

Filmi “Walk the Line” (2005) me regjinë e James Mangold, është dramë muzikore/romantike dhe biografi. Filmi tregon jetën e hershme të këngëtarit Johnny Cash dhe romancën e tij me June Carter. Rolin e Cash-it e trupëzon aktori i madh Joaquin Phoenix, kurse të Carter-es, Reese Witherspoon.

Carina Chocano, gazetare e atëhershme në Los Angeles Times, për vlerësimin e filmit “Walk the Line” kishte shkruar se “Joauqin Phoenix dhe Reese Witherspoon bënë punë të dorës parë – kënduan, drodhën telat, luajtën instrumente të reja, ata kërcitën me karizëm dhe zgjuarësi, dhe dhanë aq shumë nxehtësi seksuale sa që çuditem si nuk morën flakë”.

Skena ndoshta më pikëlluese në film është kur Johnny del në skenë pas një mbidoze, me fytyrë të shtrembëruar, plot dhimbje dhe inatë, dhe në buzë kollapsi. Por çka e tregon madhështinë e vullnetit të tij, që pas gjithë atij dërmimi të reflektuar fizik, vullneti i tij është triumfues.

Determinizmi i tij për të qëndruar në këmbë, në atë skenë, e reflekton dashurinë e tij për muzikën.

Filmi “Walk the Line” e merr titullin prej këngës së Cash-it, dhe tregon edhe romancën e qiftit që kurrë nuk janë të ndarë, as në skenë.

Kirk Honeycutt, një kritik filmi, në një shkrim për “Hollywood Reporter” shkruan se “Vendimi i regjisorit James Mangold që jetës së Johnny Cash-it ti qaset si histori dashurie, bën që të neglizhohet zhvillimi i muzikës së Johnny-t. Në fakt, filmi nënkupton që Johnny bie në stilin e tij muzikor pa e menduar mirë. Megjithëse Phoenix dhe Witherspoon kanë bërë punë të mirë vokale, filmi nuk ia ka dalur të na tregojë majftueshëm për këta dy njerëz si muzicienë”.

Kënga ‘I Walk the Line’ ishte një premtim që Cash ia kishte bërë gruas së tij të parë që do ti rrinte besnik tërë jetën, këngë e cila edhe e bëri të famshëm. Kjo gjë u bë edhe më e vështirë, dhe ai përfundimisht u nda nga ajo.

Pas martesës së parë të dështuar, martesa e dytë ishte me June Carter-i, romanca e të cilëve paraqitet në film. Por nëse këngën “I Walk the Line” e kishte premtuar për gruan e parë, sa do të “ecte në atë vijë” për Carter-in?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore