Shqipëria

“Javën tjetër fillon vaksinimi masiv”


“Nga java tjetër do të fillojë vaksinimi masiv”, ka thënë ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ditën e mërkurë, ndërsa ka vizituar një qendër vaksinimi anti-Covid në Kamëz.

“Sot realizojmë aktin normativ për vaksinat që jemi duke blerë nëpërmjet distributorit të autorizuar. Besoj që, nga java tjetër, do të fillojmë dhe vaksinimin masiv”, ka deklaruar Manastirliu.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë monitorimit të procesit të vaksinimit, ka njoftuar se “së shpejti pritet të fillojë dhe vaksinimi masiv për të moshuarit”.

Sipas ministres, të mërkurën e 24 marsit do të vaksinohen plot 1 mijë mësues, ndërsa ka njoftuar që numri total i të vaksinuarve pritet t’i kalojë 16 mijë.

Procesi i vaksinimit të mësuesve ka nisur në të gjithë vendin, ku sipas ministres, janë kryer plot 52 mijë vaksinime.

Mësuesit e shkollës “4 Dëshmorët”, në Tiranë, kanë qenë të parët që u vaksinuan në Shqipëri.

Vaksinimi për këtë kategori vijoi në shkollën e mesme të Lezhës, duke vazhduar me qytetin e Durrësit, Elbasanit, Tiranës.

Më herët, kryeministri Rama ka mirëpritur 38 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore