Lajme

Java e tretë në arsim që shkollat e Kosovës mbesin nën dry


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i SBASHK-u, Rrahman Jasharaj.

Tash e tri javë greva në arsimin e Kosovës është duke vazhduar.

Që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh.

Edhe pas takimeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët mes dy palëve.

Pavarësisht mos realizimit të kërkesave të sindikalistët disa shkolla kanë vendosur që të fillojnë procesin mësimor.

Të enjten e 15 shtatorit, në komunën e Gjakovës pesë shkolla kanë filluar procesin mësimor.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi.

Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

“Po mësimi ka filluar dhe është duke u mbajtur në pesë shkolla”, deklaroi shkurt ajo.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj për deklaroi për Albanian Post se, “vetëm 17 mësimdhënës janë duke tentuar të punojnë dhe ata dolën që janë të afërt me pushtetin”.

Edhe pas takimit që ishte mbajtur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ai kishte pohuar se greva vazhdon të mbetet e njëjtë.

“Kemi shumë komuna dhe shkolla në raport me atë që më thanë greva është e njëjtë. Unë po them mund të ketë individë që dëshirojnë të punojnë. Besoj se do të ketë dezinformata edhe nga grupe të caktuara që disa shkolla kanë filluar punën”.

Ndërsa nga kryeministri i Kosovës, kreu i SBASHK-ut ka kërkuar që jetë “kryeministër i të gjithëve”.

“Kryeministri i Kosovës, duhet të jetë kryeministër i të gjithëve dhe nuk duhet të lëshoj deklarime të tilla”.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Teksa kishte dhënë edhe sqarimin e tij se pse i është drejtuar Kurtit si “vëlla”, për arsyeje se kjo deklaratë u përqesh nga kryeministri në konferencë për media pas përfundimit të takimit

“Në kuptimin më të mirë për ta relaksuar bisedën i kam thënë po të lus si vëlla edhe si kryeministër. Termi “vëlla” është traditë tek shqiptarët kur bisedohet për diçka me zemër të hapur prej të dyja palëve. E kam përdorur në mënyrën më të sinqertë me qëllim shpirtërorë në asnjë kuptim tjetër”, deklaroi Jasharaj.

Përqeshjen rreth kësaj deklarate kryeministri e vazhdoi edhe në seancën e zhvilluar të enjten për grevën e nëpunësve civilë e cila nuk po kalon e kishte përmbledhur me një fjali kërkesën kryesore të sindikalistëve duke përqeshur udhëheqësin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn.

“Nimom si vlla, na ndihmo si vlla, ami 100 euro. A po kupton, nuk bën ashtu”, ka thënë Kurti duke e imituar me përbuzje Jasharajn.

Sipas tij, Jasharaj nuk mund të sillet me Qeverinë e Kosovës në mënyrë private kur adreson kërkesën e Këshillit të Grevistëve.

“Mënyra është e njëjtë unë i dua paratë, nuk çaj kokën as për shoqëri, nuk çaj kokën as për shtetin, unë i dua paratë për vete. Po kështu nuk bën. Dhe kjo kërkesë kaq partikulare, as nuk mund të maskohet e gjithsesi zbulohet me shprehjet vëlla”.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore