Shqipëria

Japin dorëheqjen 51 anëtarë të Lidhjes së Gruas të PD-së


51 anëtarë (kryetarë, sekretarë dhe koordinatorë) të Lidhjes së Gruas të Partisë Demokratike në Korçë kanë dhënë dorëheqjen nga posti i tyre.

Këtë e kanë bërë të ditur vetë atë nëpërmjet një deklarate, ku shkruajnë se heqin dorë nga funksionet e tyre drejtuese.

“Ne si grup solidarizohemi me dorëheqjen e anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike Korçë  dhe kemi vendosur dorëheqjen nga funksionet drejtuese”.

Në deklaratë ata gjithashtu shkruajnë se gjykojnë që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po përpiqet me arrogancë ta kthejë partinë në një parti klienteliste në funksion të interesave të tij personale.

“Me veprimet e tij mendojmë se z. Basha ka hedhur poshtë të gjithë mundin dhe sakrificat tona në opozitën më të vështirë të PD-së”.

13 demokratët e dorëhequr

Më herët, 13 anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike (PD), mes tyre dhe sekretari i Përgjithshëm dhe kryetari i PD-së Korçë, dhanë dorëheqjen nga funksionet e tyre, të martën e 27 korrikut, përmes një letre zyrtare drejtuar degës së kësaj partie.

Për Albanian Post (AP), ishte sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Devis Osmani, i cili sqaroi mbi motivacionin e dorëheqjes se “lidershimi aktual po tenton, me arrogancën e tij, ta kthejë PD-në në një parti klienteliste dhe në funksion të interesave personale”.

Në letrën e dorëheqjes, bëri me dije Osmani, shkruhej se, “kryetari i PD-së ka hedhur poshtë të gjithë mundin dhe sakrificat tona në opozitën më të vështirë në historinë e PD-së”.

Po ashtu, nga burimet zyrtare të Albanian Post pranë PD-së, u bë me dije se Dega e PD-së Korçë nuk kishte një kryetar, pasi “ish-kryetari Andrea Mano dha dorëheqjen kur kandidoi për deputet”, në zgjedhjet e 25 prillit.

13 anëtarët e firmosën shkresën, nëpërmjet së cilës jepnin dorëheqjen nga funksionet që mbanin, me arsyen se “PD-ja po mbahet qëllimisht e frenuar prej tij, për të luftuar keqqeverisjen e Edi Ramës”.

Partia Demokratike (PD), të dielën e 18 korrikut, publikoi rezultatin e votimit për anëtar fitues të Këshillit Kombëtar.

Numërimi i votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike (PD) përfundoi rreth orës 3 të mëngjesit të 18 korrikut.

Mbi 5 mijë demokratë nga mbarë Shqipëria u bënë bashkë në Kuvendin e Partisë Demokratike (PD) të shtunën e 17 korrikut.

Ishte kreu i kësaj partie, i cili falënderoi të gjithë delegatët pjesëmarrës, në fjalën hyrëse të Kuvendit.

Po ashtu, ai nuk ka lënë pa nderuar dhe viktimat që ranë gjatë luftës me armikun e padukshëm, asaj të pandemisë COVID-19, për të cilët demokratët mbajtën një minutë heshtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore