Lajme

Janjiç për Albanian Post: S’ka shanse që Vuçiç të mos e pranojë Marrëveshjen – nga ky pajtim përfiton edhe Kosova edhe Serbia


Dushan Janjiç

“Kosova përfiton shumë në aspektin e njohjes ndërkombëtare, ndërsa Serbia më nuk do jetë në presion për çështjen e Kosovës”, ka thënë në një prononcim për Albanian Post, kryetari i Forumit për Marrëdhënie Ndër-etnike nga Beogradi, Dushan Janjiç, kur ka vlerësuar 11 pikat e planit franko-gjerman (evropian), tanimë të pranuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“E para, Kosova përfiton shumë në aspektin e njohjes ndërkombëtare; e dyta për Kosovën është që kjo marrëveshje ndikon që të zhbllokohet vakumi institucional pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës”, tha Janjiç, duke shtuar se “pres që në ditët e ardhshme të ketë një strategji të qartë për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës”.

Analisti nga Serbia shton edhe faktin se me një konkretizim të planit të zbatimit të marrëveshjes me 18 mars, do të ndalohen përfundimisht edhe “kërcënimet për ndonjë luftë të mundshme, apo krizë ushtarake mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkaq, për benefitet e Serbisë në këtë marrëveshje, ai vlerëson se qytetarët serbë ende janë të paqartë në atë se çfarë përfiton Serbia, mirëpo ai beson se kjo “do të shihet më vonë”.

“Në anën e Serbisë, opinion publik nuk është duke i kuptuar mirë benefitet e kësaj marrëveshje, këto benefite do të jenë më të dukshme në javët e ardhshme. Më nuk do të ketë shumë presion për çështjen e Kosovës dhe fokusi do të jetë në zhvillimin e Serbisë. Po ashtu, çka është tjetër e rëndësishme: ky vendim është kyç për të ardhmen e Serbisë”.

Sa i përket Bashkimit Evropian, Janjiç ka kritikuar qasjen, sipas tij selektive, të ndërmjetësuesit Miroslav Lajçak, por thotë se pas vizitës së fundit në Beograd diplomati sllovak “e ka kuptuar se nuk ka vetëm një adresë për takime në Serbi, por tani ka organizuar takime edhe me partitë opozitare”.

“Në Serbi e mira është që Lajçak më në fund e ka lanë mbrapa teorinë e mostransparencës, dhe kjo çon lart përpjekjet për të arritur edhe përkrahjen e publikut lidhur për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.

Gjithashtu, Janjiç pret që të formohet një opozitë në Serbi me qasje pro evropiane në mënyrë që ta “fuqizojë përkrahjen e publikut në Serbi për marrëveshjen”.

Janjiç deklaron edhe se e ka mirëpritur ndryshimin e kryeministrit Kurti në raport me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Pra ka një hap të vogël drejt ndërrimit të qasjes së Kurtit lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e kam fjalën për dakordimin për krijimin e një statuti që çon në implementimin e këtij mekanizmi”.

Ndërsa, për potencialitetin e mos-pranimit të marrëveshjes nga presidenti serb Vuçiç, Janjiç pohon me siguri se “s’ka shanca”.

Dicka e tillë, për të është “e pamundur të ndodh”.

“Nuk mund të ndodh refuzimi, pasi që kjo tanimë është pranuar nga Vuçiç, pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, dhe këtë e konfirmoi edhe Kurti. Tani ka mbetur që të diskutohet vetëm implementimi i asaj që është dakorduar në Bruksel”.

Ai, duke komentuar takimin e ardhshëm të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut në mes të Kurtit dhe Vuçiç’it, ku pritet të diskutohet për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, deklaron se shteg tjetër pos dakordimit nuk ka.

“Para takimit ose gjatë takimit pres disa qëndrime nga ana e evropianëve ose amerikanëve që do të krenohen për shkak se arritën ta përfundojnë një konflikt. Dhe, po ashtu pres një dakordim për një plan implementimi, por që nuk kam pritje që do të implementohet shpejt, dhe mendoj që do të lihen edhe disa çështje të hapura, përfshirë disa detaje lidhur me integrimin e komunitetit serb në shoqërinë shqiptare”, thotë Janjiç për Albanian Post.

Nga shumë kush, marrëveshja e 27 shkurtit është parë si një njohje de fakto e Kosovës nga ana e Serbisë, mirëpo për analistin serb “në politikë nuk është e rëndësishme njohja de fakto, ajo çka është e rëndësishme është njohja de jure”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore