Lajme

Jack Smith: Hetonte ish-krerët e UÇK-së, tani do ta hetojë Donald Trump-in


Jack Smith

Jack Smith, kryeprokurori i specializuar në Gjykatën Speciale që po hetonte ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është liruar nga kjo detyrë.

Media amerikane CNN, raportoi këtë të premte se Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ka caktuar një këshilltar special për të mbikëqyrur hetimet penale për ruajtjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump dhe pjesë të kryengritjes së 6 janarit 2021.

Të dy hetimet implikojnë sjelljen e Trump, i cili të martën deklaroi kandidaturën e tij në garën presidenciale 2024.

Ky këshilltar, raporton CNN, është Jack Smith, kryeprokurori i specializuar në Gjykatën Speciale.

Se do caktohej një këshilltar special fillimisht u bë e ditur nga disa informacione që kishin rrjedhur nga Departamenti i Shtetit dhe u publikuan nga “Politico” dhe “Wall Street Journal”, duke cituar një person të njohur me këtë çështje.

Trump mbetet objektivi i katër hetimeve – federale dhe të shteteve Georgia dhe New York- për nxitje të dhunës, përpjekje për të ndërhyrë në procesin e ratifikimit të zgjedhjes së Joe Biden, krime tatimore dhe vjedhje të dokumenteve tepër sekrete që nuk duhej të dilnin nga Shtëpia e Bardhë dhe që, përkundrazi, Trump i mori me vete në Mar-a-Lago.

Disa orë para shpalljes së tij, në New York Allen Weisselberg, drejtori financiar historik i Organizatës Trump, dha dëshmi me orë të tëra për parregullsitë administrative dhe tatimore të kompanisë së ish-presidentit, ndërsa në Atlanta guvernatori Brian Kemp u dëgjua nga gjyqtarët që po hetojnë kërkesën e Trump për të “gjetur” 11 mijë e 780 votat që i nevojiteshin për të mundur Biden në vitin 2020 dhe në Washington komisioni parlamentar që hetonte sulmin ndaj Kongresit më 6 janar 2021 është rikthyer në punë.

Tashmë janë grumbulluar shumë materiale dëshmuese kundër Trump-it, por Garland, ka ngecur deri tani, i vetëdijshëm se ndjekja penale e një ish-presidenti, një akt i paprecedentë, do të kishte edhe pasoja shumë të rënda politike.

Duke zyrtarizuar kandidaturën e tij, tani Donaldi është i mbrojtur nga inkriminimi i drejtpërdrejtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore