Kosova

Izraeli të martën nënshkruan marrëveshje me Kosovën për heqjen e vizave


Flamuri i Kosovës dhe i Izraelit.

Të martën e 17 qershorit, do të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave nga Izraeli për shtetasit e Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave nga Ambasada e Izraelit në Kosovë.

“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në pritjen e nesërme të organizuar nga Shkëlqesia e Saj znj. Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, me ç’rast do ta shënojmë Ditën e Pavarësisë së Izraelit dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për shtetasit kosovarë”.

Më 29 janar, Osmani kishte njoftuar se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, që do t’ua mundësojnë atyre udhëtimin lirshëm drejt vendit të Lindjes së Mesme me qëllime turistike.

Ky vendim i Izraelit i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, thuhej se do të hynte në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhej në komunikatën e presidencës.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Që nga 5 janari, kosovarëve iu mundësua ta vizitojnë edhe Spanjën pa viza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore