Lajme

Izraeli, me sistem të ri mbrojtjeje nga raketat dhe dronët


Izraeli do të ketë një sistem të ri radari, “Sky Dew”, tё pajisur me balona me aftësi të avancuara, të cilët do të shërbejnë për zbulimin e raketave dhe avionëve.

Ky është njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes, sipas të cilës ky sistem “është krijuar për të paralajmëruar kundër dronëve dhe municioneve të avancuara që kërcënojnë territorin e Izraelit”.

Sistemi “Sky Dew” vjen pasi vitet e fundit institucioni i Mbrojtjes ka vërejtur përpjekje nga Irani për të vendosur dronë me aftësi të avancuara në Liban e Siri dhe në vende tё tjera më larg, të cilat sipas tyre janë prodhuar me qëllimin për të sulmuar Izraelin.

Grupet ushtarake të Hezbollahu-t dhe Hamasi-t po investojnë gjithashtu për të krijuar një grup të avancuar dronësh kundër Izraelit.

“Ka pasur një numër përpjekjesh të dështuara nga zyrtarët iranianë për të kryer sulme nga territori sirian në vitet e fundit”, deklaruan nga ministria.

Sistem aerostati me disponueshmëri të lartë, imazh i publikuar nga zyra e Zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, 3 nëntor 2021
Sistemi “Sky Dew

Teknologjia e balonës bazohet në një platformë ajrore aerostat, të prodhuar nga firma amerikane TCOM.

Kjo teknologji është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar sistemin e mbrojtjes raketore të Izraelit.

“Ajo do të përbëjë një komponent të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes së kufijve të vendit. Një njësi e ngjashme tashmë është vendosur pranë Dimonës në jug të Izraelit”, deklaruan nga ministria.

“Vitin e kaluar, kemi vërtetuar në një numër të madh eksperimentesh të suksesshme aftësinë e të gjithë sistemit të mbrojtjes me shumë shtresa. Ai mund të përballojë me sukses kërcënimet e avancuara, përfshirë raketat e lundrimit”, tha shefi i Organizatës së Mbrojtjes Raketore të Izraelit, Moshe Patel.

“Sistemi i sensorëve të ngritur është shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit midis Agjencisë së Mbrojtjes së Raketave (MDA) dhe Ministrisë së Mbrojtjes sё bashku me industritë partnere”, tha shefi i MDA-së së SHBA-ve, Admirali John Hill, duke shtuar se do të ndihmonte gjithashtu në ruajtjen e avantazhit teknologjik të Izraelit në rajon.

Ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz, përgëzoi kompanitë dhe agjencitë e përfshira për zhvillimin e asaj që e quajti “një tjetër përparim teknologjik, që do të forcojë mbrojtjen e qiejve të Izraelit dhe qytetarëve izraelitë”.

Izraeli ka disa sisteme për përgjimin e raketave, përfshirë “Iron Dome”, “David’s Sling” (i njohur më parë si Shkopi Magjik) për objektivat me rreze të mesme dhe “Shigjeta 3” për ato me rreze të gjatë.

Këtë qershor, struktura e mbrojtjes përfundoi testin e parë të një sistemi lazer ajror, i cili shkatërroi me sukses disa dronë.

Dhjetorin e kaluar, ministria deklaroi se kishte kryer me sukses testet e para antiraketë në shkallë të gjerë, duke përdorur lëshues në det.

Sistemi është zhvilluar nga Organizata e Mbrojtjes së Raketave të Izraelit të Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me Forcën Ajrore, Industritë e Hapësirës Ajrore të Izraelit dhe Agjencinë e Mbrojtjes së Raketave të SHBA-së dhe ka për qëllim tё sjellë një radar paralajmërues të hershëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore