Lajme

Izraeli e konsideron kërcënuese vendosjen e ushtrisë iraniane në Detin e Kuq


Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz deklaroi të martën se Irani është vendosur ushtarakisht në Detin e Kuq, duke e quajtur atë një kërcënim për stabilitetin dhe tregtinë rajonale.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia ‘Reuters’.

“Sot, ne mund të konfirmojmë se Irani është duke u bazuar metodikisht në Detin e Kuq, me anije luftarake që patrullojnë rajonin jugor”, theksoi fillimisht Gantz.

Sipas zyrtarit izraelit, në muajt e fundit autoritetet kanë identifikuar praninë më të rëndësishme ushtarake iraniane në zonë – në dekadën e kaluar.

Zyra e Gantz shtoi se ai paraqiti imazhe satelitore të katër anijeve luftarake iraniane që patrullonin në Detin e Kuq.

Irani ka ngritur praninë e tij detare në Detin e Kuq gjatë më shumë se një dekade, në një lëvizje që sipas tij është e nevojshme për të mbrojtur cisternat iraniane të naftës kundër kërcënimit të piraterisë.

Izraeli dhe një numër vendesh arabe ndajnë shqetësime për ndikimin e Iran-it në rajon si dhe programin bërthamor të Teheranit.

Irani thotë se programi i tij bërthamor është paqësor.

Përpara një vizite në Lindjen e Mesme nga Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden javën e ardhshme, Gantz ka bërë thirrje për lidhje më të forta të sigurisë me shtetet arabe të Gjirit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore