Shqipëria

Itali-Shqipëri, marrëveshje për përmirësimin e rrjetit energjetik në veri


Zëvendës kryeministrja dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku finalizoi të martën e 28 marsit një marrëveshje me autoritetet italiane, për përmirësimin e rrjetit energjetik në veri të Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur gjatë punimeve të forumit të biznesit – organizuar nga dhoma e tregtisë Shqipëri-Itali.

I pranishëm gjatë nënshkrimit ishte dhe zëvendës ministri i punëve të Jashtme i Italisë, Edmondo Cirielli.

“Me anë të kësaj marrëveshje shteti shqiptar do të marrë një hua prej 35 milionë euro dhe përmes kësaj huaje ne do të zhvillojmë një projekt, i cili konsiston në përmirësimin e sistemit të shpërndarjes, konkretisht në zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Fushë-Krujës, me fokus kryesor përmirësimin e nënstacioneve ekzistuese, sistemin Scada dhe rrjetin e tensionit të mesëm, duke i ofruar kështu mundësi agjencive shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, por edhe atyre private që të ofrojnë një shërbim cilësor në furnizimin e energjisë elektrike”, tha Balluku.

Zyrtarja shqiptare u ndal gjithashtu edhe te situata aktuale e shitjes së energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

“Ne duam të shpresojmë, pavarësisht se energjia është një treg i pa parashikueshëm tashmë, duam të shpresojmë që viti 2023 do jetë një vit më i qëndrueshëm. Një vit ku trendi është në rënie, i çmimeve, ka prej kohësh që është stabilizuar si çmim për MWh, por nga ana tjetër shpresojmë për shkak të kushteve atmosferike dhe situatës së favorshme që kemi në kaskadën e Drinit, viti 2023 të jetë një vit i qëndrueshëm ku ne të kemi mundësi që të rrisim kapacitetet financiare për investime në fushën energjetike”, shtoi Balluku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore