Lajme

Ish-zëvendëskryeministri serb: Vuçiç përfaqëson politikën nacionaliste të Millosheviç-it dhe Sheshel-it


Zarko Koraç

Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Zarko Koraç, i cili pas vrasjes së Zoran Gjingjiç-it në vitin 2003 u bë vetë kryeministër, tha se suksesi politik i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, lidhet kryesisht me politikën nacionaliste që ai përfaqëson.

Në një intervistë për të përditshme kroate “Slobodna Dalmacija”, teksa komentoi atmosferën toksike në shoqërinë serbe pas vrasjeve masive në Serbi javën e kaluar, ai tha Serbia nuk e ka refuzuar plotësisht programin politik të Sllobodan Millosheviç-it, ndaj Vuçiç është sot zgjedhja logjike e shumicës së serbëve.

“Një numër i madh i të ashtuquajturve ‘intelektualë kombëtarë’ dhe elita politike kurrë nuk e refuzuan plotësisht Millosheviç-in, megjithëse nuk e përmendin më atë, sikur të mos ekzistonte. Ata nuk duan të pranojnë humbjen e asaj politike”, tha ai.

“Po të ishte vërtetuar disfata dhe të ishin nxjerrë mësime prej saj, njerëz si Vuçiç nuk do të kishin qenë kurrë në pushtet. Zoran Gjingjiç-in e vranë sepse me të vërtetë donte ta ndryshonte Serbinë”, nënvizoi Koraç, ndërsa komentoi edhe idenë ultra-nacionaliste e irredentiste të së ashtuquajturës “botë serbe”.

Një prej artikuluesve të këtij koncepti të mjegullt së fundmi ishte etabluar nga shoqëruesi më i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vulin, aktualisht në postin e drejtorit të Agjencisë Serbe të Informacionit (BIA), i cili e trumbetoi atë në thirrje ndaj “të gjithë serbëve”.

“Sigurisht që nuk ka më luftë, praktikisht të gjitha vendet fqinje janë në NATO dhe ka një bazë të madhe ushtarake amerikan të quajtur Bondsteel në Kosovë. Kjo është arsyeja pse Vuçiç e lejon Vulin-in, një njeri rus dhe një nga ndihmësit e tij kryesor, të flasë për ‘botën serbe'”, tha Koraç.

“Si ndihmës i Vojisllav Sheshel-it, ai vazhdimisht i dërgon mesazhe elektoratit të tij që të mos shqetësohen, se ai është në fakt i njëjti nacionalist, por se janë të nevojshme kompromise të vogla të herë-pas-hershme me Perëndimin”, vlerësoi ish-politikani serb.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Për më tepër, niveli më i lartë i posedimit të armëve civile në Evropë është regjistruar në Serbi. Më shumë se 1.5 milion armë që zotërojnë qytetarët në Serbi janë të paregjistruara, prandaj siç paralajmërojnë ekspertët, militarizimi dhe njëfar “kulti i luftës” po rritet në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore