Lajme

Ish-zëvendës-kryeministri në kohë lufte i Serbisë, Vuk Drashkoviç: Qëllimi i Millosheviç-it ishte ta humbiste Kosovën


Vuk Drashkovic

Vuk Darashkoviç, aktualisht kryetar i Lëvizjes Serbe për Rindërtim dhe ish-zëvendës-kryeministër në kohë të luftës i Serbisë, në një deklaratë të tij të fundit për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, thotë se “qëllimi i Sllobodan Millosheviç-it ishte që ta humbiste Kosovën”.

Darshkoviç që më pas ishte edhe Ministër i Jashtëm i Serbisë, nga viti 2004 deri në vitin 2007, ka publikuar edhe një libër ku tregon për bisedat që i kishte zhvilluar me Millosheviç-in gjatë luftës.

“Millosheviç-i më ka pas thënë se dëshiron ta humbasë Kosovën, sepse besonte se Serbia nuk kishte mundësi ta mbante”, thotë Darashkoviç, duke shtuar se këtë bisedë nuk e ka fshehur dhe e ka publikuar edhe sa Millosheviç-i ishte gjallë.

Në të njëjtën libër, me titull “Plagët e Jetës”, Drashkoviç ka zbuluar se Millosheviç ishte i gatshëm të dialogonte pa kushte me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, madje “edhe në planetin Mars”.

“Kosova ka ikur”

Interesante është edhe biseda që Drashkoviç, pasi u bë ministër i Jashtëm në prill të vitit 2004, pati me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Colin Poëell.

Siç e ka përshkruar në librin “Plagët e Jetës”, në takimin me Powell-in, ai e ka nisur rrëfimin për statusin e Kosovës duke thënë: “Më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi”.

Por, reagimi i sekretarit amerikan qe i prerë: “Zoti Drashkoviç, Kosova ka ikur”.

Drashkoviç kishte insistuar: “Shqiptarët do të kishin parlamentin e tyre të pavarur, presidentin e tyre, kushtetutën e tyre…”, por më pas politikani amerikan e ndërpreu duke përsëritur fjalinë e njëjtë: “Zoti Drashkoviç, Kosova ka ikur”.

Ministri i atëhershëm serb më pas parashtroi një propozim interesant: “Unë propozoj që Kartës së OKB-së t’i shtohet një nen me dy paragrafë. Që paragrafi i parë të thotë se SHBA-të kanë gjithmonë të drejtë. Dhe se paragrafi i dytë thotë se, në rast se të kundërshtimit të kujtdo, zbatohet paragrafi i parë.”

Slobodan Milloshevic gjate gjykimit ne Hage

Refuzimi i Millosheviç-it për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë bëri që NATO të bombardojë Serbinë përmes sulmeve ajrore që zgjatën nga 24 marsi i vitit 1999 deri më 10 qershor 1999.

Gjykimi për krime lufte i Slobodan Millosheviç-it, ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë zgjati pak më shumë se katër vjet nga viti 2002 deri në vdekjen e tij në 2006. Millosheviç-i u përball me 66 akuza për krime kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krimeve lufte të kryera gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore