Lajme

Ish-komandanti i KFOR-it: BE dhe NATO t’i vendosin sanksione Serbisë


Erhard Buhler

Ish-komandant i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), Erhard Buhler, në një prononcim për tabloidin gjerman “Bild”, duke komentuar rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas lëvizjes së trupave ushtarake serbe përgjatë vijës kufitare, ka thënë se kësaj herë situata është tejet shqetësuese.

Ai ka thënë se Serbia dhe Rusia, përkatësisht presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe homologu rus Vladmir Putin, mbështeten në “konfliktet e ngrira” në Ballkanin Perëndimor, të cilat, sipas vlerësimit të ish-gjeneralit gjerman, mund të ringjallen në çdo kohë, prandaj ka kërkuar që Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO t’i vendosin sanksione Serbisë.

“Putini është qartazi një pjesë aktive e këtij konflikti. BE-ja dhe NATO duhet të vendosin sanksione ndaj Beogradit. NATO e trajton ushtrinë serbe sikur një partner dhe e fton në stërvitje ushtarake. Politikisht duhet të vazhdojmë të flasim, por partneriteti ushtarak tani duhet të ngrihet”, ka theksuar Buhler.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), së bashku me një pjesë të shteteve anëtare të BE-së i kanë bërë thirrje Serbisë ta ndalë menjëherë “grumbullimin e paprecedent” të ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosura deri tani, përfshirë artilerinë, tanket dhe njësitë e këmbësorisë, por akoma nuk dihet nëse një kërkesë e tillë është plotësuar.

E autoritetet serbe të sigurisë e kanë mohuar se kanë ngritur gatishmërinë ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, duke theksuar se nëse presidenti serb jep urdhër për të hyrë në territorin e Kosovës, ushtria serbe “do ta kryejnë një detyrë të tillë në mënyrë efikase, profesionale dhe të suksesshme”, por jo pa e njoftuar KFOR-in paraprakisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore