Lajme

Ish deputeti i LDK-së, kongresistëve amerikanë: Tërhiqni nënshkrimet, letra juaj përmban shumë të pavërteta


Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi.

Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, u ka dërguar një letër kongresistëve amerikanë që i kanë shkruar presidentit Joe Biden për Serbinë, ku ka shprehur brengën e tij për këtë gjë.

Bislimi në letrën të cilën e ka bërë publike në rrjetin social ‘Facebook’, shkruan se letra që i kanë dërguar presidentit Biden për Serbinë përmban të pavërteta.

“Të dhënat historike për Serbinë të thëna në letër mund të jenë të vërteta pjesërisht, por ato nuk munden t’i lënë nën hije krimet serbe ndaj hebrejëve në periudhën kohore që ju i referoheni, gjatë Holokaustit respektivisht. Hebrejtë e zënë nga serbët u janë dorëzuar menjëherë nazistëve, gjerësa e kundërta është e vërtetë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi”.

Letra që i ka dërguar ish deputeti i LDK-së, Faton Bislimi kongresistëve amerikanë.

Ndërkaq, tutje ai sqaron se Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka pas më shumë hebrejë pas luftës sesa para saj.

“Secili hebre që kishte arritur të futej në Shqipëri ishte shpëtuar, dhe ata kanë mundë të arrijnë në Shqipëri kryesisht përmes ndihmës së shqiptarëve të Kosovës të cilët kishin rrezikuar jetën e vetë vetëm e vetëm që të shpëtonin hebrejtë në nevojë. Kjo storje e jashtëzakonshme e orëve më të errëta të historisë njerëzore buron nga tradita e vjetër shqiptare, besa”, shkruan Bislimi.

Letra që i ka dërguar ish deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, kongresistëve amerikanë

Ai e ka përmendur edhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, rast për të cilin Serbia ende nuk i ka sjellë para drejtësisë kryerësit e krimit.

“Letra juaj sikur harron të theksojë diçka që përmendet në secilin takim apo shkëmbim letrash nga zyrtarët amerikanë me Serbinë: vrasjen brutale të tre qytetarëve amerikanë me prejardhje shqiptare, vëllezërve Bytyçi. Ata u vranë në fund të luftës në Kosovë më 1999”.

“Serbia ende nuk i ka sjellur para drejtësisë kryesit e këtij krimi. Të lihet anash ky fakt është thuajse përpjekje për të fshehur një krim serb ndaj qytetarëve të SHBA-ve. Asnjë Anëtar i Kongresit nuk duhet të lë anash një krim të tillë ndaj shtetaseve amerikanë”.

Sipas tij, e vërteta nuk mund të tregohet në heshtje.

“Askush nuk do e tregojë të vërtetën tonë historike nëse ne heshtim. Serbia për shekuj të tërë ka ndërtuar trillime nga më të çmendurat kundër popullit tonë nëpër krejt botën. Jo më!”.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore