Lajme

Ish-ambasadorja e vlerëson si pozitive iniciativën e Ramës për Asociacionin: Kurti të bashkëpunojë


Alma Lama

“Çfarëdolloj iniciative që është për shtensionimin e situatës dhe që kërkon të jap një dorë Kosovës, besoj që është pozitive”.

Kështu të paktën ka deklaruar ish-ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama, kur u pyet nga Albanian Post për iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë të enjte, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ua ka dorëzuar Gjermanisë dhe Francës, më saktë kancelarit Olaf Scholz dhe presidentit Emmanuel Macron, një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, drafti ky i cili është hartuar në bashkëpunim me disa prej ekspertëve më të mirë amerikanë dhe botërorë në këtë fushë.

Qëllimi i hartimit të këtij draft-statuti, sipas Ramës, ka të bëjë me faktin se Kosova dhe Serbia nuk e dëshirojnë Asociacionin dhe po bëjmë çmos ta shtyjnë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën.

“Nëse ai ka vendosur të hyjë si një lloj mediatori me Qeverinë e Kosovës do të ishte ndoshta një rol pozitiv për të shtensionuar situatën, por nëse nuk ka asnjë lloj komunikimi me Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë, mund të përkeqësohet situata ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sepse kjo mund të shkaktojë pastaj tensione të tjera”, ka thënë fillimisht Lama për AP.

Sipas saj Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, në këtë fazë, duhet të bashkëpunoj me të gjitha shtetet mike që ja duan të mirën e Kosovës.

“Është praktikë ndërkombëtare që shtetet mike të ndërhyjnë për të shtensionuar situatën, Shqipëria natyrisht që nuk mund të jetë neutrale në raportin Kosovë-Serbi. Natyrisht kushdo që mund të kontribuojë do të ishte mirë , sigurisht pa marrë rolin e Qeverisë së Kosovës, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe besoj se Rama e ka parasysh këtë”, ka shtuar ajo.

Edi Rama propozon një draft për Asociacionin në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore