Lajme

Ish-ambasadorja Çitaku për shkarkimin e Vlora Hysenit: Skandal dhe papërgjegjësi


Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkarkimin e Vlora Hysenit nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, rastin në fjalë e ka quajtur skandal dhe të rrezikshëm.

“Më e pakta që mund të them për këtë rast është: skandal, paranojë, papërgjegjësi. Të shkarkohet nga detyra një profesioniste e cila i ka shërbyer Agjencionit të Kosovës për Intelegjencë që nga themelimi, një profesioniste e cila ka zgjedhur të jetojë në anonimitet të plotë për t’i shërbyer atdheut, kjo është e rrezikshme”, ka shkruar Çitaku.

Sipas Çitakut, shkarkimi i Hysenit nga detyra është i paarsyeshëm.

“Vlora Hyseni ka merituar të trajtohet me respekt dhe mirënjohje. Në vend të falenderimit, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti e shkarkojnë pa asnjë arsye”, shtoi ajo.

Po ashtu, ish ambasadorja Çitaku ka potencuar se përkundër që nuk e njeh Hysenin, roli i saj ka qenë i rëndësishëm në Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë.

“Vlora Hysenin nuk po e njohim, dhe për shkak të rolit të saj, nuk do të duhej të ja njihnim punën. Por ne e njohim punën e AKI-së.  AKI ka marrë lavdata të vazhdueshme për punën e saj, dhe nga aleatët tanë trajtohet si partner i besueshmëm. Ky sukeses është edhe i zonjës Hyseni”, ka thënë Çitaku duke shtuar se Hyseni është profesioniste kompetente.

“Një gjë duhet kuptuar, kompetenca është shkalla më e lartë e besnikërisë”, përfundoi ajo.

Ndërkaq, të mërkurën e 30 qershorit, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, e kanë shkarkuar nga detyra zëvendësdrejtoren e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Vlora Hysenin.

Sipas njoftimit të zyrës për media të Qeverisë së Kosovës, “vendimi për shkarkim e obligon Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.

“Gjithashtu, Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”.

Ndërkohë më 15 prill të këtij viti Osmani dhe Kurti , patën emëruar Petrit Ajetin, Drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Ky emërim është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore