Lajme

Irani: Sanksionet e BE-së janë të mjerueshme, e jona është mbrojtje legjitime


Sanksionet e Bashkimit Evropian të shpallura pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit janë “të mjerueshme” sepse vendi veproi në vetëmbrojtje.

Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian për lëshimin e më shumë se 300 dronëve dhe raketave kundër Izraelit në atë që thuhej se ishte hakmarrje për bombardimin e Izraelit ndaj kompleksit të ambasadës në Damask.

Dje, ministrat e jashtëm të BE-së ranë dakord në parim për të zgjeruar sanksionet kundër Iranit duke parandaluar eksportet e armëve të Teheranit, të çdo droni apo rakete, për përfaqësuesit iranianë dhe Rusinë.

“Është për të ardhur keq të shohësh BE-në të vendosë shpejt për të aplikuar kufizime të mëtejshme të paligjshme kundër Iranit vetëm sepse Irani ushtroi të drejtën e tij për vetëmbrojtje përballë agresionit të pamatur të Izraelit”, ka thënë Amir-Abdollahian.

Bashkimi Evropian, sipas kreut të diplomacisë së Teheranit, “nuk duhet të ndjekë këshillat e Washington-it për të kënaqur regjimin kriminal izraelit”.

Përkundrazi, Abdolahan këmbëngul se “BE duhet të veprojë me përgjegjësi dhe të sanksionojë regjimin izraelit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore