Lajme

Iran/ Izraeli duket se pranon autorësinë mbi sulmin në reaktorin Natanz


Izraeli duket se ka konfirmuar pretendimet se ishte prapa sulmit kibernetik të ndodhur të dielën, ndaj objektit kryesor bërthamor të Iranit. Sulmin, shefi i energjisë bërthamore i Teheranit e përshkroi si një akt terrorist.

Ngjarja ndodhi disa orë pasi zyrtarët në reaktorin Natanz rifilluan centrifugat e reja të përparuara, të cilat mund të përshpejtonin prodhimin e uraniumit.

Ndërsa autoritetet iraniane u përpoqën të merreshin me një ndërprerje elektrike në shkallë të gjerë në Natanz, shefi i mbrojtjes i Izraelit, Aviv Kochavi, tha se “operacionet e vendit në Lindjen e Mesme nuk janë të fshehura nga sytë e armikut ”.

Qeveria izraelite nuk vendosi asnjë censure në mbulimet mediatike për sulmin në Iran, siç kishte bërë shpesh pas incidenteve të ngjashme.

Një radio publike në Izrael ndërmori hapin e pazakontë duke pretenduar se agjencia e inteligjencës, Mossad, kishte patur një rol kryesor në këtë ngjarje.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se “lufta kundër qeverisë iraniane dhe përpjekjeve të saj të armatimit është një mision i madh”.

Ndërprerja e pashpjegueshme elektrike është sulmi i fundit mes një serie shkëmbimesh midis dy armiqve.

Kohët e fundit përplasjet kanë qenë të hapura edhe për sytë e publikut, me sulme kundër transportit detar, ekzekutimin e shkencëtarit kryesor bërthamor të Iranit, qindra sulme ajrore kundër përfaqësuesve iranian në Siri dhe një derdhje misterioze të naftës në Izraelin verior, që zyrtarët atje kanë pretenduar se ishte sabotim mjedisor .

Shefi bërthamor i Iranit, Ali Akbar Salehi, nxiti komunitetin ndërkombëtar dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të ndërmarrin veprime kundër autorëve të sulmit.

Sulmi u krye nga “kundërshtarët e përparimit industrial dhe politik të vendit, të cilët synojnë të parandalojnë zhvillimin e një industrie bërthamore të lulëzuar”, tha Salehi.

Zhvillimet erdhën ndërsa presidenti i SHBA, Joe Biden, u përgatit të riaktivizojë një marrëveshje të kontestuar ashpër, e cila ofron lehtësime sanksionesh për Iranin në këmbim që ky i fundit të kufizojë programin e tij bërthamor dhe të mos ndjekë zhvillimin e një arme bërthamore.

Gjithashtu, sulmi ndaj Natanz erdhi pesë ditë pas një sulmi, të dukshëm izraelit, ndaj një anijeje iraniane në Detin e Kuq, për të cilën zyrtarët e inteligjencës perëndimore kanë pretenduar prej kohësh se ishte një anije komande dhe kontrolli e përdorur për të mbështetur Houthët në luftën në Jemen.

Ajo u pasua nga një seri sulmesh ajrore izraelite në Siri që dëmtuan një bazë ushtarake që pretendohej të ishte përdorur nga përfaqësues besnikë të Iranit për të siguruar mbështetje për milicinë libaneze, Hezbollah, i cili mbetet një krah thelbësor i politikës së jashtme iraniane.

Vitin e kaluar, qeveria izraelite theu heshtjen e saj për tetë vite sulmesh ajrore në Siri, duke pranuar se ajo ishte përgjegjëse për rreth 1 mijë sulme, të cilat tha se kishin për qëllim parandalimin e Hezbollah-ut që të vendoste sisteme të përparuara raketash në tokën libaneze.

Sulmet izraelite në Siri kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën ushtarake të vendit, tashmë të shkatërruar nga një dekadë kryengritjesh dhe luftërash. Këto sulme gjithashtu kanë shtyrë përpjekjet diplomatike, të drejtuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që presidenti sirian, Bashar al-Assad, të prishë aleancën me Iranin, e cila e ka ndihmuar atë të qëndrojë në pushtet.

Pavarësisht përfshirjes së Rusisë, e cila gjithashtu ka luajtur një rol në sigurimin e regjimit të tij, Asadi i ka refuzuar përpjekjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore