Lajme

Intervistë me Marc Rockwell-Pate, zëdhënësin e MCC-së: “Kompakti” ka afate rigoroze, gjithçka duhet të kryhet brenda 5 vjetësh – procesin e udhëheqë Qeveria e Kosovës


Momenti i Marreveshjes

Paratë, shumicën dërrmuese të tyre, e jep Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), përmes grantit të njohur si “Kompakt”, por punën në terren e udhëheqë Qeveria e Kosovës, nga dizajnimi i projekteve e deri te implementimi i tyre brenda afateve rigoroze, ka thënë Marc Rockwell-Pate, zëdhënësi i MCC, në një intervistë me shkrim për Albanian Post.

Kosova dhe MCC nënshkruan një marrëveshje të përbashkët prej 236.7 milionë eurosh grant për ta ndihmuar Kosovën të bëjë tranzicionin në fushën e energjisë elektrike, ku përfshihet edhe ndërtimi i baterive që ruajnë energjinë duke i ndihmuar kështu Kosovë fleksibilitet më të madh në kohë krizash dhe luhatjesh të mëdha çmimesh.

“Që nga dizajni e deri të implementimi, Kompakti udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës”, ka shpjeguar Rockwell-Pate.

“Ekspertët e MCC punojnë në koordinim të afërt me shtetin partner në gjithë procesin për t’u siguruar që çdo ‘Kompakt’ arrin standardet tona rigoroze për dizajn dhe implementim. Monitorimi i fondeve është rigoroz, proces transparent, shpesh i menaxhuar nga agjentë fiskalë të pavarur, dhe me publicitet të madh për transparencë dhe llogaridhënie”, deklaroi zëdhënësi i MCC-së.

Ai ka sqaruar në detaje edhe se si procedohet pasi që të bëhet përzgjedhja e projektit në të cilin më pas ofron grante MCC-ja.

“Pas përzgjedhjes nga bordi i drejtorëve të MCC-së për ofrimin e grantit ‘Kompakt’, MCC dhe partnerët e përzgjedhur fillojnë një proces të gjatë të zhvillimit dhe analizimit të projektit për t’u siguruar që çdo grant ta arrijë potencialin e vet, të rritjes ekonomike që do të ndjehet nga të gjithë”.

“Ky është një proces që udhëhiqet nga partneri (Kosova në këtë rast) ku ne punojmë bashkë me ta për ta analizuar ekonominë e atij vendi, identifikimin e asaj se çfarë po e ndal zhvillimin, definimin e projekteve të Kompaktit dhe reformat. Zhvillojmë pastaj programin, negociojmë, e aprovojmë dhe në fund e nënshkruajmë”, tha Marc Rockwell-Pate për Albanian Post.

Ministrja Artane Rizvanolli dhe kryeministri Albin Kurti pas nenshkrimit te marreveshjes

Ai shton se e gjithë procedura, përveç që analizohet mirë, i saktësohen edhe afatet, të cilat duhet të respektohen me precizitet.

“Para se të fillojë të implementohet projekti, MCC dhe Qeveria e Kosovës punojmë bashkërisht për të finalizuar planet teknike për këto projekte të mëdha infrastrukturore. Në momentin që kjo kompletohet, MCC dhe qeveria e funksionalizojnë; që është starti zyrtar i implememtimit 5 vjeçar. Të gjitha Kompaktet e MCC-së kanë një afat fiks 5 vjeçar në momentin që fillon implementimi, që nënkupton se të gjitha fondet duhet të shpenzohen dhe të gjitha projektet të kompletohen brenda kësaj periudhe”.

Për këtë fond të MCC-së, që përbën një nga investimet më të mëdha në sektorin e energjisë në Kosovë, është bërë debat i madh, se të kujt ishin meritat për sigurimin e bashkëpunimit fillimisht e më pas nënshkrimit që mundësuan ndihmën.

Procesi ka filluar para disa vitesh, por Marc Rockwell-Pate tregon se “Kompakti” dhe ajo çfarë ka ndodhur më herët mes MCC-së dhe Kosovës, janë të ndara.

“Bordi i drejtorëve të MCC-së ka përzgjedhur qeverinë e Kosovës për një grant më të vogël para pesë vjetësh (49 milionë euro), por SHBA-të dhe Kosova kanë histori të gjatë të miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm që është i ndërtuar në vlerat tona të përbashkëta demokratike. Kompakti vjen pas grantit paraprak prej 49 milionë dollarësh, por këto janë dy programe të ndryshme dhe të pavarura nga njëra tjetra”.

Rockwell-Pate është i bindur se ky projekt për “ruajtjen e energjisë do të mbështesë sektorin energjetik në Kosovë”, pasi do të mundësohet “tranzicioni drejt energjisë së pastër përmes baterive të mëdha që ruajnë rrymën, çka do të ndihmojë në fleksibilitetin e vendit me energjinë elektrike dhe reduktimin e kostove për kosovarët”.

Çka përmban konkretisht marrëveshja?

Momenti i nenshkrimit te marreveshjes mes Kosoves dhe MCC

Programi ka tri pika kryesore.

Ruajtja e Energjisë – Projekti i Ruajtjes së Energjisë ka për qëllim të krijojë siguri energjetike, të zvogëlojë çmimet e energjisë dhe të lehtësojë një tranzicion drejt energjisë së pastër në të ardhmen, duke investuar në një sistem të ruajtjes së energjisë prej 350 megavatesh, që mund të ndihmojë në mbushjen e zbrazëtirave energjetike për periudha të gjata.

Kjo sidomos në raste kur, sikur vitin e kaluar, ka lëvizje të mëdha në tregjet energjetike të çmimeve të energjisë.

Programi mbështetë pikërisht ndërtimin e kapaciteteve teknike dhe administrative që mbështetën nga reformat institucionale dhe politike. Pjesë e kësaj pike është edhe promovimi i punësimit dhe ndërmarrësisë, veçanërisht për gratë në këtë sektorë.

Edukim për energjinë dhe trajnim për të gjithë – Projekti i Përshpejtimit të Tranzicionit të Drejtë dhe të Duhur do të etablojë programe të reja që mësojnë punëtorët për teknikat e reja në sektorin e energjisë dhe sektorë të tjerë ndërlidhës. Brenda programit është edhe edukimi për praktika të barazisë gjinore brenda sektorit të energjisë. Gjithashtu, jepet asistenca teknike për të ndihmuar që të rritet prezenca e grave në sektorin energjisë dhe në kompanitë energjetike në Kosovë.

Kjo do të bëhet edhe duke mbështetur këto kompani me trajnime dhe monitorimin e dhënies së mundësive për gratë.

Qëndrueshmëria e Sektorit Privat – Projekti i Katalizatorit Amerikan për Zhvillim do të tentojë të promovojë investime shtesë në sektorin privat të energjisë në Kosovë në bashkëpunim me Korporatën amerikane për Zhvillim, duke ndihmuar fondet nga MCC dhe duke zgjeruar participimin e sektorit privat në investimet për energji të qëndrueshme.

MCC marrëveshje të tilla ka nënshkruar me shumë shtete të tjera në zhvillim, siç ishte marrëveshja e Kompaktit me Ganën muajin e kaluar me vlerë prej 316 milionë dollarësh. Programi kishte filluar në vitin 2016 dhe u mbyll me nënshkrim në vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore