Lajme

Interpoli kërkon ndihmë për të identifikuar 22 gra të vrara në Evropë në 50 vitet e fundit


Interpoli i ka bërë thirrje publikut që të ndihmojë në emërtimin e 22 grave të vrara në Holandë, Belgjikë dhe Gjermani, trupat e të cilave nuk janë identifikuar kurrë.

Sakaq, disa prej tyre janë vrarë më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Interpoli ka publikuar detaje të rasteve që normalisht do të ishin në dispozicion vetëm për agjencitë e zbatimit të ligjit, në një fushatë të quajtur Operacioni Identify Me.

“Shumica e 22 viktimave vdiqën dhunshëm, dhe disa u abuzuan ose vuajtën nga uria para se të vdisnin”, kanë thënë Carina van Leeuwen dhe Martin de Wit nga policia holandeze, përpjekjet e të cilëve për të identifikuar një grua të gjetur në një kosh në një lumë në vitin 1999 çuan drejt fushatës.

“Pjesërisht për shkak se gratë janë me gjasë nga vende të tjera nga vendi ku janë gjetur, identiteti i tyre ende nuk është përcaktuar. Është e mundur që trupat e tyre të jenë lënë në vendet tona për të penguar hetimet penale”, kanë theksuar ata.

Carolien Opdecam, nga policia belge, ka thënë se qëllimi ishte gjetja e emrave. “Identiteti i viktimës është shpesh çelësi për të zhbllokuar një çështje”.

Anja Allendorf, nga policia gjermane, ka thënë se vendosja e identitetit të viktimës mund të çojë përfundimisht në arrestimin e një të dyshuari.

Shumica e grave ishin të moshës midis 15 dhe 30 vjeç në kohën e vdekjes së tyre, vlerëson policia, dhe disa mund të kenë ardhur nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Trupat e tyre u gjetën midis viteve 1976 dhe 2019. Policia holandeze dha detaje për nëntë raste, policia belge për shtatë dhe ajo gjermane për gjashtë.

Faqet e internetit të Interpolit përfshijnë rikonstruksione të fytyrës së disa prej grave të vrara, si dhe video dhe fotografi të sendeve të njohura si bizhuteri dhe veshje të zbuluara në vendet ku u lanë trupat e tyre.

Detaje të tjera përfshijnë moshën e vlerësuar të grave, ngjyrën e flokëve dhe syve të tyre dhe karakteristika të tjera kryesore fizike.

Susan Hitchin, nga njësia e ADN-së e Interpolit, ka treguar se kjo ishte hera e parë që informacionet nga të ashtuquajturat njoftime të zeza ishin bërë publike.

Njoftimet e zeza, të përdorura për të kërkuar informacione për trupa të paidentifikuar dhe për të përcaktuar rrethanat e vdekjes, përmbajnë detaje të vendit të ngjarjes, pamjen dhe veshjen e viktimës, vëzhgime të tjera përkatëse, dhe zakonisht kufizohen në polici.

“Njoftimet e zeza lejojnë agjencitë e zbatimit të ligjit të bashkëpunojnë dhe të ndajnë informacione përtej kufijve, duke ndihmuar përfundimisht në sjelljen e shkelësve para drejtësisë”, ka shpjeguar Hitchin.

Ajo shpreson se operacioni do t’i nxisë anëtarët e publikut të kontaktojnë policinë dhe t’i lejojë familjet të ecin përpara.

“Është e tmerrshme të kalosh gjithë këto vite pa pasur asnjë lajm, duke mos ditur se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ajo.

“Sado e tmerrshme të jetë marrja e atij konfirmimi, është pjesë e një procesi të rëndësishëm”.

Sipas saj, informacionet e reja mund të lejojnë policinë t’u “sigurojë identitetin këtyre viktimave dhe në mënyrë ideale të ndihmojë në gjetjen e autorit, nëse ka një të tillë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore