Sport

Inter mund Sampdoria-n dhe ngjitet në katërshe


Skuadra e Inter-it ka marrë fitoren e radhës në Serie A. Zikaltrit mundën 3-0 në “Giuseppe Meazza” Sampdoria-n e drejtuar nga Dejan Stankovic, një prej heronjve të tripletës së vitit 2010 të tyre.

Ndeshja u luajt për javën e 12 të kampionatit. Inter realizoi dy herë në pjesën e parë. Fillimisht me anë të mbrojtësit, Stefan de Vrij në minutën e 21.

Pas golit të holandezit do të vinte i radhës nga mesfushori, Nicolo Barella. Italiani realizoi në minutën e 44.

Barella është mesfushori i trete i Inter-it që shënon në tre ndeshja radhazi në Serie A në epokën e tri pikëve, pas Esteban Cambiasso (në 2008), Ivan Perisic (në 2016) dhe Hakan Çalhanoglu (në 2021).

Goli i tretë për vendasit do të vinte në minutën e 73 të takimit. Autori kësaj radhe ishte argjentinasi, Joaquin Correa.

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani u fut në lojë në minutën e 83, pasi zëvendësoi turkun Calhanoglu. Paraqitja e lojtarit kuqezi në ato minuta që u aktivizua ishte disi e kënaqshme. “Sofascore” e vlerësoi me notën 6.6.

Me fitoren e arritur, Inter-i shkon në kuotën e 24 pikëve dhe ngjitet në vendin e katërt në renditje. Tetë pikë më shumë ka Napoli kryesues. Ndërsa, Sampi qëndron në vendin e 18 me vetëm gjashtë pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore