Sport

Inter-i paralajmëron rinovimin me 36-vjeçarin – “Nuk është sikur Perisic, ai e do fanellën”


Inter-i pritet ta rinovojë kontratën me sulmuesin e tyre 36-vjeçar, Edin Dzeko-n.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë drejtori sportiv i Inter-it, Beppe Marotta, i cili tha se boshnjaku nuk është sikurse Perisic që u largua nga klubi i tyre.

Marotta shtoi se posa ta marrë vesh dëshirën e Dzeko-s për të rinovuar, ata do t’i nisin bisedimet.

“Nuk mendoj se do të përfundojë aventura me Dzeko-n si me Perisic-in, ai ka treguar se dëshiron të qëndrojë me ne dhe sigurisht që e meriton rinovimin, sepse ka treguar lidhje të fortë me fanellën dhe mbi të gjitha e ka zakon golin dhe kjo duhet të merret shumë në konsideratë”, tha Marotta.

“Kur të vijë koha, do të fillojmë kontaktet, por pa dyshim që fillimisht do të duhet të kuptojmë vullnetin e futbollistit”, shtoi drejtori sportiv i Inter-it.

Kujtojmë që Dzeko shkëlqeu në fitoren e fundit të vështirë të Inter-it në udhëtim te Atalanta me rezultat 2:3. Veterani boshnjak shënoi dy nga tre golat e zikaltërve.

Ndërsa këtë sezon ai e ka arritur shifrën e nëntë golave dhe katër asistimeve në 21 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Inter-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore