Sport

Inter-i cinik, fiton me përmbysje ndaj Sassuolo-s


Inter-i ka arritur të marrë fitoren e radhës në Serie A. Zikaltrit kanë fituar me përmbysje në “Mapei Stadium” përballë Sassuolo-s vendase. Në tre gjuajte në kuadrat, Inter-i arriti të shënonte dy gola.

Skuadrat u përballën në javën e shtatë të Serie A. Vendasit kaluan të parët në avantazh. Inter-i përmbysi gjithçka në pjesën e dytë.

Goli i parë i takimit u shënua nga Domenico Berardi. Kapiteni shndroi në gol një 11 metërsh në minutën e 22 të takimit.

Në pjesën e dytë, Inter-i do të shënonte dy herë. Fillimisht ishte Edin Dzeko në të 58 minutë, që do të barazonte shifrat në 1-1. Boshnjaku kishte vetëm një minutë që kishte hyrë në fushën e blerë, pasi kishte zëvendësuar Joaquin Correa-n.

Për golin e fitores dhe te tri pikëshit mendoi, Lautaro Martinez-i. Argjentinasi shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit në të 78 minutë.

Tri pikë për Inter-in që e shikon veten në vendin e dytë të Serie A, me 17 pikë. Një pikë më shumë ka Napoli kryesues, por që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e javës së shtatë. Sassuolo mbetet me shtatë pikë dhe renditet në vendin e 12.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore