Përballje

Inter dhe Atalanta shënojnë fitore


Inter dhe Atalanta kanë fituar ndeshjet e tyre në kuadër të javës së pestë në Serie A.

Skuadra e Inter-it me shumë vështirësi arritën fitore në udhëtim te Fiorentina me rezultat 1:3.

Zikaltërit u gjendën në disavantazh në pjesën e parë me golin e shënuar nga Riccardo Sottil, në minutën e 23-të.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të vendasve, derisa në të dytën Inter-it i mjaftuan vetëm 10 minuta për të përmbysur rezultatin.

Darmian barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 52-të, ndërsa tre minuta më vonë Dzeko kaloi mysafirët në epërsi.

Në vazhdim, loja ishte e tensionuar dhe me shumë raste shënimi, por gola nuk pati deri në tre minutat e fundit të ndeshjes, ku Ivan Perisic, realizoi golin e sigurisë për Inter-in.

Me këtë fitore, Inter ngjitet në vendin e parë në tabelë me 13 pikë, ndërsa Firoentina gjendet në vendin e gjashtë me nëntë pikë.

Fitore arriti edhe Atalanta, që mposhti në shtëpi Sassuolo-n me rezultat 2:1.

Bergamaskët gjetën golin e avantazhit që në minutën e tretë me golin ë shënuar nga gjermani, Robin Gosens.

Davide Zappacosta dyfishoi epërsinë në minutën e 37-të, pastaj Sassuolo arriti të ngushtoj shifrat në minutën e 44-të me golin e shënuar nga Domenico Berardi.

Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja palët, gola më nuk pati deri në fund të takimit, me ndeshjen që u mbyll me rezultat 2:1.

Me këto tri pikë, Atalanta ngjitet në vendin e katërt në tabelë me 10 pikë, kurse Sassuolo ka vetëm katër pikë të grumbulluara dhe pozicionohet në vendin e 13-të.

Derisa, përveç këtyre dy ndeshjeve, gjatë mbrëmjes zhvillua edhe ndeshja mes Bologna-s dhe Genoa-s, e cila u mbyll me barazim 2:2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore