Teknologji

Inteligjenca Artificiale po përndjek njerëzoren


“Ndihem sikur jemi në fund të artit, artit njerëzor. Sapo të arrijë kulmin e përmirësimit, Inteligjenca Artificiale (AI) do të jetë shumë më e aftë për të bërë art sesa ne, njerëzit”. Kështu do të shprehej, në nëntor të 2019-s, artistja e muzikës electronic-e, Grimes.

Parashikimet e saj, ndoshta të nxituara, nxitën një valë debatesh në mediat sociale. Një numër i konsiderueshëm njerëzish, duke marrë shkas nga martesa e saj me miliarderin e teknologjisë, Elon Musk, u besuan fjalëve të saj.

Por, pati dhe kundërshtime. Producentja e muzikës elektronike, Zola Jesus, si dhe këngëtari i rrymës electropop,  Devon Welsh, nuk u pajtuan me komentet e koleges së tyre.

Ata shkuan aq larg, duke e quajtur Grimes si “zëri i privilegjeve fashistë” dhe si të imponuar nga vizionet e miliarderëve.

Çfarë është inteligjenca artificiale?

Inteligjenca artificiale është aftësia e një pajisjejei për të kryer funksione dhe arsyetime që aktualisht janë tipike vetëm të mendjes njerëzore.

Ajo ka zëvendësuar shumë punë, të cilat deri pak vite më parë mundësoheshin vetëm nga krahu i punës.

Sipas një prej producentëve të kompanisë Warner, Scott Cohen, AI gjen terren edhe në industrinë e muzikës. Por, mundësia që edhe muzika, si një formë kryesisht personale dhe subjektive, të krijohet nga AI, thotë Cohen, përhap mjaft panik.

“Çdo dhjetë vjet diçka vret industrinë e muzikës. Nëse doni të dini cila do të jetë tjetra, vështroni botën e teknologjisë”.

Nga ana tjetër, janë të shumtë muzikantët që mendojnë se AI nuk do t’i japë fund artit njerëzor. Përkundrazi, thonë ata, nxit një epokë të re të artë të krijimtarisë.

Artistë të shquar, si Holly Herndon dhe Toro y Moi, vitet e fundit kanë punuar me AI. Ajo i ka ndihmuar në drejtime të reja dhe të padëgjuara më parë, duke zgjeruar muzikën në përmasa që nuk ua kishte marrë mendja.

Arca, një producent i cili ka punuar me Kanye West dhe Björk, gjatë një interviste për revistën “Time” tha, “AI më ka mundësuar një ndjenjë lehtësimi dhe ngazëllimi që jo gjithçka është bërë. Të jep një horizont të gjerë, të ri mundësish”.

Historiku, mes Inteligjencës Artificiale dhe muzikës

Po ta shikojmë nga ana historike, inteligjenca artificiale dhe muzika janë ndërthurur prej kohësh.

Alan Turing, pioneri i shkencës kompjuterike, në 1951 ndërtoi një makineri që gjeneronte tre melodi të thjeshta.

Rreth 40 vite më pas, David Bowie do të fillonte të përdorte, për frymëzim, një program digjital për shkrimin e teksteve, të cilin e kishte dizajnuar vetë.

Në të njëjtën kohë, Steve Larson, profesor i teorisë së muzikës, azhornoi një program kompjuterik, i cili shkruante kompozime të reja sipas stilit të Johann Sebastian Bach. Në momentin që një audiencë dëgjoi kompozimin e AI, paralelisht me atë të Bach, qe e pamundur të gjendeshin dallimet.

Përmirësimi në kohë i AI

Një numër i lartë muzikantësh dhe studiuesish në të gjithë botën janë duke krijuar programe, të cilat do t’i vijnë në ndihmë AI-së.

Kompozitorët Drew Silverstein, Sam Estes dhe Michael Hobe, të cilët ishin duke punuar për kolonën zanore të filmit “The Dark Knight”, u përballën me një sërë kërkesash për të krijuar muzikë të thjeshtë, që do përdorej në filma, seriale apo video-lojëra.

Për t’i lehtësuar punë vetes, treshja krijuan Amper. Programi merr komanda të tilla, si zhanri i muzikës, gjendja shpirtërore apo tempoja, duke krijuar muzikë bazuar në këto parametra. Gjithashtu i jap mundësinë edhe një personi të thjeshtë të krijojë muzikë.

Muzika e gjeneruar nga Amper, përdoret rëndomtë në podcast-e, reklama, si dhe në video për kompani të ndryshme, një ndër të cilat është agjencia mediatike Reuters.

Muzika e krijuar nga AI

Në vitin 2018, Francois Pachet, një përdorues i vjetër i muzikës AI, publikoi albumin e parë pop të prodhuar nga inteligjenca artificiale, “Hello, World”.

Në vitin 2019, kantautorja Holly Herndon mori 98% vlerësime pozitive, sipas të dhënave nga Google, për “Proto-n”, një album në të cilin ajo harmonizonte zërin e saj me një version të AI.

Kohët e fundit, Inteligjenca Artificiale ka hyrë në një fazë të re zhvillimi. Programet inteligjente të shkrimit si ShortlyAI, gjenerojnë tekste të ndryshme në bazë të kërkesës së përdoruesit, duke i dhënë komandën për temën e këngës, emrin e artistit dhe gjatësinë e strofës.

Duke pasur parasysh këtë, youtuber-at Calamity Ai dhe 30 Hertz kanë krijuar një këngë rap të Eminem dhe Kanye West, të cilët flasin kundër patriarkalizmit.

Me sa duket ky është vetëm fillimi i një hapësire pothuajse të pafundme mundësish që na i krijon AI.

E ardhmja e Inteligjencës Artificiale

Sipas disa parashikimeve nga njerëz të botës së muzikës, së shpejti do të jemi në gjendje, që nëpërmjet telefonit tonë, të krijojmë muzikë. Duke përdorur inteligjencën artificiale, telefoni do të gjenerojë një këngë apo edhe album të padëgjuar më parë. Mjafton vetëm një komandë.

Në një të ardhme të afërt, aftësia e artistëve do të jetë vendimtare në një treg ku, përvecc njëri-tjetrit, do të konkurrojnë dhe me AI.

Imagjinojeni sa të vështirë do ta ketë një artist i ri të futet në treg me këngë të reja, ndërkohë që një person, kudo në botë, mund të kërkojë një këngë të Michal Jackson, dhe AI t’ia gjenerojë në çast.

Nëse AI krijon mundësi të reja për muzikën, apo zhduk artin njerëzor, është “tema më e nxehtë” e diskutimeve në tryezat e shumë kompanive muzikore dhe jo vetëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore