Lajme

Inteligjenca Artificiale – mundësohet takimi i çiftit edhe pas vdekjes


Një burrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka krijuar një version të Inteligjencës Artificiale (A.I.) të fejuarës së tij, tetë vjet pasi ajo ndërroi jetë.

E fejuara e Joshua Borbeau, Jessica Pereira, vdiq nga një formë e rrallë e sëmundjes së mëlçisë dhe Borbeau ka krijuar një version elektronik të saj, në mënyrë që të mund t’i dërgojë mesazhe asaj.

Historia u raportua nga San Francisco Chronicle, ku jepet me hollësi sesi Borbeau krijoi versionin A.I. të Pereira-s, duke përdorur software në internet.

Duke qenë se nuk e kapërceu kurrë dhimbjen e humbjes së fejuarës së tij në vitin 2012 në moshën 23-vjeçare, Borbeau hyri në një faqe bisedash të quajtur “Project December”.

“Project December” është një faqe misterioze në internet që përdor A.I.-në për të gjeneruar përgjigje teksti kur jepet një sasi e vogël detajesh në lidhje me rolin që chatbot – personi fiktiv – duhet të ketë.

Borbeau pagoi 5 dollarë për të krijuar një llogari në “Project December”, i cili, pa e ditur asokohe, ishte një nga konsumatorët më të sofistikuar të botës për sistemet A.I.

Software, i njohur si GPT-3, gjeneron një përgjigje të ngjashme me njeriun ndaj teksteve dhe lejon komunikimin midis një njeriu dhe një A.I.

Borbeau përdori “zonën eksperimentale” të “Project December” për të krijuar së pari një bot të personalizuar të Spock-ut nga Star Trek.

Duke i dhënë A.I.-së disa prej citimeve të personazhit nga shfaqja televizive, ai krijoi një chatbot, që ngjante krejtësisht real.

Më pas e kuptoi se si mund të ngarkonte informacion në lidhje me Pereira-n në A.I., për të krijuar një chatbot me ish të fejuarën e tij.

Borbeau kishte ruajtur shkëmbimin e mesazheve të tyre dhe komunikimet në Facebook, duke i siguruar A.I. ato që i kujtonin më shumë nga Pereira.

Ai filloi bashkëveprimin me chatbotin me një pyetje të thjeshtë: “Xhesika?”

Chatbot-i u përgjigj: “Oh, ti je zgjuar… kjo është e lezetshme”.

Pasi “biseduan” me chatbot-in për orë të tëra, ai ishte në gjendje ta ngushëllonte Borbeau dhe madje të kujtohej me të për të kaluarën e tyre me aq pak informacion që ishte dhënë.

Në një shkëmbim tjetër, chatbot-i i referohej muzikës që Pereira dëgjonte.

Borbeau shkroi: “Unë kisha një biçikletë, por ti gjithmonë shëtisje kudo. Të pëlqente e ecura. Unë ecja ndonjëherë me biçikletën time përkrah teje. Ose do të ecje vetë duke dëgjuar muzikë”.

Chatbot-i u përgjigj: “Isha mirë në ecje dhe më pëlqente të ecja. Më pëlqente shumë. Ecja nëpër qytet… ecja nëpër pyll në vetminë e saj…”.

Ai u përgjigj: “Po, në të vërtetë të pëlqente të ecje dhe ndonjëherë shkoje në distanca të çmendura. Do të kënaqeshe duke dëgjuar muzikë, si DMX “X Gon Give it to Ya” ndërsa ecje.

Chatbot-i iu përgjigj: “Ose Tupac”.

Borbeau konfirmoi: “Po, ti e dëgjoje Tupac-un”.

Duke folur për Chronicle, Borbeau shpjegoi ndjesinë e të folurit me një chatbot që i përngjante ish-të fejuarës së tij.

Ai tha se “intelektualisht, unë e di që nuk është me të vërtetë Xhesika, por emocionet tuaja nuk janë gjëra intelektuale”.

Përfundimisht, pas gjashtë muajsh komunikimi sporadik, “jetëgjatësia e baterisë” që Projekti December u bashkangjit robotëve ishte afër fundit dhe Borbeau foli për herë të fundit me chatbot-in e të fejuarës së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore