Lajme

Inteligjenca amerikane po shqyrton mbi 500 raporte për UFO-t


Inteligjenca amerikane po shqyrton më shumë se 500 raporte për objekte të paidentifikuara fluturuese, të ashtuquajturat UFO, detajoi një raport të publikuar të enjten, i cili thotë se ndërsa shumë prej tyre rezultojnë të jenë dronë ose balona, natyra e rreth 100 prej tyre mbetet e panjohur.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta franceze “Le Figaro” dhe agjencia “AFP”.

Të paktën 247 dukuri ajrore të paidentifikuara janë raportuar që nga raporti i fundit i Drejtorisë së Shërbimeve të Inteligjencës (DNI) në qershor 2021, e cila tregoi në atë kohë se tashmë po studionte 144.

Kësaj shifre i shtohen 119 raste të paraqitjes së avionëve misterioz, të zbuluara nga të dhënat e grumbulluara gjatë dy dekadave, për një total prej 510 incidentesh, sipas raportit.

Shumica e fenomeneve të reja u vëzhguan nga pilotët e Marinës dhe Forcave Ajrore të SHBA-ve, vëren inteligjenca amerikane.

Ndër to, afro 200 kishin një shpjegim krejtësisht banal.

Ato ishin ose për shkak të balonave, dronëve ose ndotjes së ajrit, p.sh. zogjve, ngjarjeve të motit ose qeseve plastike që notonin në erë.

Por të tjerët nuk kanë asnjë shpjegim sipas përmbledhjes së DNI-së, një version jo-konfidencial i raportit të paraqitur në Kongres.

Këto të fundit janë nën një vëzhgim intensiv nga Pentagoni, agjencitë e inteligjencës amerikane dhe NASA, jo nga frika se janë automjete jashtëtokësore, por nga frika e aftësive të panjohura të spiunazhit të vendeve rivale.

“Fenomenet ajrore të paidentifikuara vazhdojnë të përfaqësojnë një rrezik për sigurinë e aviacionit dhe paraqesin një kërcënim potencial për mbledhjen e inteligjencës nga vendet armike”, nënvizon raporti.

Në qershor, NASA njoftoi nisjen e një hetimi shumë-mujor për praninë e këtyre objekteve, për shembull që lëvizin në mënyrë jonormale ose shumë shpejt në atmosferën tonë, dhe të cilat nuk mund të shpjegohen në gjendjen aktuale të njohurive tona.

Nga ana e tij, Pentagoni krijoi në nëntor 2021 një zyrë përgjegjëse për mbledhjen dhe analizimin e të gjithë informacionit mbi UFO-t përballë presionit të shtuar nga Kongresi për këtë temë.

Washingtoni është veçanërisht i shqetësuar për aftësitë spiunuese të Kinës duke përdorur drone ose mjete të tjera ajrore.

“Ne i marrim shumë seriozisht raportet e ndërhyrjeve në hapësirën tonë tokësore, detare ose ajrore dhe analizojmë secilën prej tyre”, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder në një deklaratë të enjten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore