Pajisje

Intel investon 58 miliardë dollarë për çipat në Gjermani, Izrael dhe Poloni


“Është investimi i huaj më i madh në historinë e vendit tonë”.

Brenda një jave, kjo frazë u shqiptua nga krerët e qeverive të tre shteteve të ndryshme: Polonisë, Izraelit dhe Gjermanisë.

Të gjithë i referohen një angazhimi të Intel-it, i cili në pak ditë ka ndarë rreth 58 miliardë dollarë për të rritur kapacitetin e prodhimit të gjysmëpërçuesve.

I fundit që uroi shumëkombëshen amerikane ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Në qytetin e Magdeburgut do të ndërtohen dy mega-fabrika të çipave të avancuar, të cilat do të fillojnë prodhimin brenda katër deri në pesë vjet dhe do të punësojnë dhjetëra mijëra njerëz.

Për ndërtimin e tyre, Intel ka planifikuar të shpenzojë mbi 30 miliardë euro, duke dyfishuar shpenzimet e planifikuara fillimisht.

Në këmbim, gjigandi kalifornian ka marrë thuajse 10 miliardë subvencione nga Berlini, i etur për të rrëmbyer komponentë të domosdoshëm për inovacion.

“Marrëveshja e sotme është një hap i rëndësishëm përpara për të sjellë prodhimin e teknologjisë së lartë në Gjermani dhe për ta bërë atë më elastike”, ka thënë Scholz.

Po ashtu ai ka theksuar rëndësinë e planit industrial të Intel-it për ekonominë evropiane.

Sakaq, BE-ja ka vendosur synimin për të dyfishuar kapacitetin e saj të prodhimit të gjysmëpërçuesve, duke e çuar atë në 20 për qind të totalit botëror.

Për këtë qëllim, Brukseli ka përjashtuar stimujt për mikroprocesorët nga ndalimi i ndihmës shtetërore.

Qeveritë me më shumë hapësirë ​​fiskale po përfitojnë nga kjo për të premtuar kontribute bujare për gjigantët e industrisë amerikane dhe aziatike.

Fabrikat e reja në Gjermani “i shtohen faqes së re prej 4,5 miliardë të komunikuar javën e kaluar në Poloni dhe fabrikës tashmë funksionale në Irlandë”, sipas shefit ekzekutiv Pat Gelsinger.

Ai ka njoftuar gjithashtu një investim maksimal prej rreth 23 miliardësh për të modernizuar fabrikën në Izrael.

Investimet në Poloni, Izrael dhe Gjermani janë pjesë e planit afatgjatë të Intel-it të nisur vitin e kaluar për të kapur konkurrentët aziatikë dhe për të kënaqur urinë globale të çipave.

Futja e programit u ngadalësua fillimisht nga rritja e kostove të lidhura me inflacionin dhe më pas nga stanjacioni i kërkesës për çipa pas bumit të pandemisë dyvjeçare.

Problemi i parë është zgjidhur nga rritja e subvencioneve publike, i dyti nga përparimet në inteligjencën artificiale që kanë ringjallur besimin e tregut në perspektivat e rritjes së industrisë së mikroprocesorëve.

Sipas indikacioneve fillestare, Italia duhet të kishte gjetur gjithashtu një vend në hartën e Intel-it, e cila kishte aplikuar për të pritur një qendër moderne për montimin dhe paketimin e çipave.

Intel ka specifikuar se angazhimi në Poloni nuk ndikon në zgjerimin në Itali dhe gjithashtu Ministria e Ndërmarrjeve është siguruar që “të vazhdojnë bisedimet për një prani në Itali të kompanisë”.

Angazhimet e javëve të fundit kanë reduktuar hapësirën në buxhetin e Intel-it, i cili kishte akorduar edhe 80 miliardë për zgjerim në Evropë.

Ndërkohë, qeveria ka iniciuar kontakte edhe me grupet aziatike.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore