Lajme

Instituti GAP: Rritet borgji i komunave ndaj operatorëve privatë – MFPT ka ekzekutuar 18 milionë euro nga buxhetet e tyre


“Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave” – është raporti më i ri i prezantuar nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), brenda të cilit u tha se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ekzekutuar 18 milionë euro nga buxhetet e komunave.

Saktësisht, fjalë bëhet për periudhën mes vitit 2019 dhe 2020, ku paratë e shpenzuara nga departamenti i Thesarit pranë MFPT-së, u janë dedikuar palëve të jashtme, të cilat janë ankimuar në raport me komunat.

Ndërsa ka krahasuar shifrat e vitit 2016 me ato të 2020, Bekim Salihu, nga Instituti GAP, ka thënë se vlera e obligimeve të papaguara ka shënuar rritje të lartë.

Beki Salihu.

“Në vitin 2016 kanë qenë gjithsej 15 milionë euro që janë faturat e papaguara që i kanë pasur komunat ndaj operatorëve privatë, ndërsa në vitin 2020, kjo vlerë ka shkuar në 34 milionë euro. Edhe në rastin e obligimeve kontingjente edhe në rastin e obligimeve të papaguara, përmbaruesit dhe gjykatat nxjerrin vendime që pastaj ekzekutohen nga MFPT-së, nëpërmjet Departamentit të Thesarit”, ka thënë Salihu për Ekonomia Online.

“Në vitin 2019 dhe 2020, MF përkatësisht departamenti i Thesarit ka ekzekutuar 18 milionë euro nga buxhetet e komunave të cilat para u janë dedikuar palëve të jashtme të cilët janë ankimuar në raport me komunat”, ka shtuar ai.

Madje, sipas Salihut, në Kosovë ka komuna që kanë pasur më tepër shpenzime administrative sesa edhe të hyra.

GAP.

“Përveç këtyre miliona euro, janë ekzekutuar edhe 2. 1 milionë euro si pasojë e shpenzimeve procedurale. Për vetëm 2 vite kanë paguar kosto në raporto me Gjykatat dhe përmbaruesit. Ka komuna që ka paguar më shumë shpenzime administrative sesa ka realizuar të hyra”, ka thënë ai.

Tutje, Salihu ka thënë se nga 25 projekte të audituara për investime në 12 komuna të Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka zbuluar se ka projekte që kanë nisur në vitin 2013 dhe të cilat nuk kanë përfunduar deri në fund të vitit 2020.

“Ky problem ndikon keq në ecurinë e menaxhimit dhe shpenzimin e buxhetit. Shkaktarët të cilët e prodhojnë këtë gjendje, janë për disa arsye, mos planifikimi i duhur i investimeve, mungesa e mjeteve të plota buxhetore, mungesa e mbikëqyrjes serioze dhe rigoroze nga komunat në terren, dhe shpronësimi”, ka përfunduar Salihu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore