Shqipëria

Institucionet duhet t’i përgjigjen kërkesave për informacion brenda 10 ditëve


Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi të enjten e 21 shtatorit me 71 vota projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për të drejtën e informimit”.

Një nga ndryshimet e ligjit detyron institucionet që t’i përgjigjen kërkesave për informacion të publikut brenda 10 ditëve punë nga dita kur dorëzohet kërkesa.

Disa risi të tjera pritet të jenë përditësimi i informacionit në programin e transparencës dhe rritja e frekuencës së publikimit të regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, nga çdo tre muaj, në jo më pak se një herë në muaj.

Kësaj radhe, përcaktohen qartësisht cilat janë po ashtu kompetencat e komisionerit në fushën e të drejtës së informimit.

Pra, nëse përgjegjës për dhënien e informacionit në kuadër të të drejtës për informim ishte vetëm komisioneri, përgjegjësia zgjerohet edhe tek personat e tjerë që e kanë në dorë dhe e prodhojnë këtë informacion.

Ligji reformon edhe sistemin e përgjegjësisë për të gjithë ato subjekte që e shkelin atë.

Përgjegjësinë administrative nuk do ta mbajë vetëm koordinatori i ngarkuar për të drejtën e informimit në administratën publike, por çdo nëpunës, qoftë edhe titullari institucionit nëse pengon dhënien e informacionit.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi gjatë prezantimi të projektligjit se gjithë këto ndryshime i garantojnë publikut një transparencë më të gjerë, si pjesë e kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë për mirëqeverisjen.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit, vërejti pas miratimit se këto përmirësime dhe ndryshime kanë për qëllim forcimin akoma edhe më shumë të rregullave, mekanizmave dhe procedurave për njohjen me informacionin/dokumentacionin me karakter publik nga qytetarët.

Ndër ndryshimet kryesore në këtë projektligj është përfshirja dhe zgjerimi i kompetencave të Komisionerit në fushën e të drejtës për informim, të cilat ishin të listuara në ligjin aktual për mbrojtjen e të dhënave personale, sqaron institucioni.

“Roli i Zyrës së Komisionerit konsolidohet akoma edhe më shumë, duke forcuar mekanizmat mbikëqyrëse për ushtrimin në praktikë të kësaj të drejte individuale. Risi të tjera përfshijnë, forcimin e pozicionit të koordinatorit për të drejtën e informimit, duke përfshirë edhe një shpërblim të posaçëm mbi pagë apo përcaktimi i saktë dhe konkret i përgjegjësisë për mospërmbushjen e dispozitave të legjislacionit për të drejtën e informimit”, ravijëzoi komisioneri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore