Teknologji

India rikthen rrjetin 4G në rajonin e Kashmirit


India i ka dhënë fund 18 muajve të ndalimit të shërbimeve të internetit me shpejtësi të lartë 4G për pajisjet telefonike në rajonin e Kashmirit.

Agjensia e lajmeve, Associated Press, bën me dije se vendimi për heqjen e ndalimit të shërbimeve të internetit 4G i dhënë nga sekretarja e brendshme e rajonit, Shaleen Kabra, vjen së bashku me kërkesën ndaj zyrtarëve të policisë për të monitoruar nga afër ndikimin që do të sjellë heqja e ndalimit.

Masa e ndalimit është marrë në vitin 2019 dhe është shoqëruar me goditje të sigurisë, ndërprerje totale të komunikimit dhe dëmtim të sistemit të kujdesit shëndetësor. Pas kësaj situate kaotike të mungesës së komunikimit, India filloi të lehtësonte gradualisht kufizimet e internetit në mënyrë të pjesshme.

Sipas autoriteteve, ndalimi i internetit kishte për qëllim ndalimin e protestave dhe sulmeve të rebelëve të cilët kanë luftuar me dekada të tëra për pavarësinë e rajonit ose bashkimin me Pakistanin, i cili administron një pjesë tjetër të Kashmirit.

Associated Press, shton gjithashtu, se sipas autoriteteve masat e marra të sigurisë ishin të nevojshme edhe për integrimin më të mirë të rajonit me Indinë. Ato ndihmojnë në nxitjen e një zhvillimi më të mirë ekonomik dhe për ndalimin e kërcënimeve nga elementët “anti-kombëtar” dhe nga Pakistani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore